E Diel, 1 Nëntor 2026

I ati i vajzës: Biba i bëri fshehtas ADN djalit të parë

TIRANE- Ai bashkë me njerëzit e tij kanë paguar para për të nxjerrë raportin si i sëmurë mendor për të shpëtuar, por unë do t’i gjej të gjitha, edhe doktorin që e ka lëshuar atë raport”. Kështu nis rrëfimi i Hysen Peposhit, babait të Lule Peposhit, i cili ka mbërritur rreth orës 15:00 të ditës së djeshme në Shqipëri, pasi prej vitesh jetonte dhe punonte në Itali. Të afërm të familjes janë mbledhur në oborrin e shtëpisë dhe tema kryesore e bisedave të tyre është ngjarja e rëndë, por më shumë se për vdekjen e foshnjës, diskutohet për akuzat dhe dyshimet e hedhura nga familja e Bibës, se foshnja nuk ishte e tija dhe se vajza e tyre e kishte tradhtuar. Ata shprehen se nuk kanë si të shkojnë në varrimin e djalit, që do të mbahet në shtëpinë e familjes Biba, pasi ata i kanë fyer rëndë me fjalët e thëna. “Nuk jemi familje me llafe ne, as këtu dhe as atje ku kemi qenë dhe ato fjalë që kanë dalë prej tyre, janë shumë të rënda për ne. Ne kemi kërkuar që djalit t’i bëhet analiza e ADN-së dhe t’ia plasim në fytyrë atyre që fëmija ishte i tija, pastaj do flasim me ta. Mua si prind, më kanë ofenduar rëndë me këto gjëra. Nuk mundem unë, që pas gjithë atyre gjërave që kanë thënë, të shkoj në varrim dhe të pi kafe tek ata. Pasi të dalin analizat, do flasim ndryshe. T’i mbushin dhe një herë gazetat me realen dhe pastaj të flasim. Nuk mundet që ata të më ulin mua moralin”,- shprehet Hysen Peposhi. Të afërm të familjes na tregojnë se dhe me djalin e parë, Hysen Biba ka pasur dyshime, derisa një ditë e kishte marrë fshehurazi nga banesa dhe kishte shkuar për të bërë analizën e ADN-së, e cila më pas kishte rezultuar se ai ishte djali i tij. “Pak kohë më parë, ai mori djalin e vogël fshehurazi nga shtëpia dhe çoi në maternitet për t’i bërë analizën e ADN-së, ku doli që ishte fëmija e tij. Babai i vajzës, pasi e mori e vesh e pyeti se për çfarë e kishte bërë një gjë të tillë dhe ai i ishte përgjigjur se e kishte fiksim dhe tani ishte i qetë”, – shprehet një prej kushërinjve të Lule Peposhit. 

RAPORTI 
Familja Peposhi mohon që Hysen Biba të ketë pasur probleme mendore, pasi në të kundërt ata deklarojnë se nuk do të martonin vajzën. Sipas tyre, raporti është blerë më para nga ana e Hysen Bibës, tezes e dajës së tij. “Ai bashkë me dajën dhe tezen kanë përgatitur gjithçka dhe kanë paguar para për të nxjerrë raportin sikur është i sëmurë mendor, për të shpëtuar më pas. Një person që bën këto veprime dhe i mendon të gjitha, nuk mund të jetë i sëmurë. Edhe nëpër gazeta dhe televizione kanë dalë të afërm të tij që kanë thënë që ai është i sëmurë, duke u munduar që të bindin të gjithë që ai ka probleme mendore dhe të lirohet nga burgu”, – deklaron një prej të familjarëve të vajzës. I pyetur në lidhje me konfliktet mes vajzës së tij dhe dhëndrit, Hysen Peposhi ka deklaruar se ata kishin konflikte të shpeshta, por që në shumicën e rasteve qetësoheshin pas disa ditësh. “Kishin konflikte si të gjithë çiftet dhe sa herë që grindeshin unë shkoja dhe e takoja dhe e pyesja se për çfarë arsye ishin grindur. E pyesja nëse kishte gjë me mua ose me vajzën, por ai përgjigjej se nuk kishte asgjë me ne, por e kishte me veten e tij”, – deklaron Hysen Peposhi. 

NGJARJA SIPAS FAMILJARËVE 
“Ditën e ngjarjes në dhomën e vajzës ishte e motra dhe tezja e saj, të cilat e kanë parë kur hodhi foshnjën dhe tani janë në gjendje të rëndë dhe nuk po marrin veten. Pak përpara ngjarjes ai ishte në kafe me disa familjarë tanët, të cilët e uruan për djalin dhe e pyetën për operacionin. Kur ata janë çuar për të hyrë në maternitet, ai u ka thënë që nuk do vinte. Pasi ata janë larguar, është ngjitur në dhomë ku ishte motra dhe tezja e vajzës dhe pasi ka pirë një cigare në dritare, ka marrë djalin dhe e ka hedhur nga dritarja dhe ka ikur me vrap”, – mbyllin rrëfimin të afërmit e 21-vjeçares.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›