E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konviktorët e pedagogjikes, pa ngrohje

Mbi 240 nxënës konviktorë të shkollës së mesme pedagogjike në Kukës ndodhen në kushte aspak normale për stinën e tashme dhe aq më shumë për temperaturat e ulëta të këtyre ditëve. Ata aktualisht nuk kanë asnjë ngrohje nëpër dhoma dhe siç tregojnë vetë nxënësit, mezi e shtyjnë natën e ftohtë nën batanije. Problemi qëndron në defektin e kaldajës për të cilën askush nuk ka bërë asgjë deri në ditën e djeshme. Nxënësit nëpër dhoma kanë vetëm nga tri batanije dhe asnjë mjet ngrohës, atyre nuk u lejohet të mbajnë furnela elektrike dhe gazi. "Ne kemi frikë ndonjë zjarr apo më të keqen për shëndetin e fëmijëve, prandaj nuk lejojmë furnelat nëpër dhoma", tha një kujdestare e konviktit. Ndonjë nga nxënësit thotë se gjatë natës siguron ujë të nxehtë në shishe plastike, ndërsa ndonjë tjetër shkon për të fjetur te njerëz të afërm në qytet. Bashkia e qytetit, nëpërmjet nënkryetarit Bilbil Keraj ka thënë se "brenda pak ditësh do bëjë të mundur rivënien në funksion të sistemit të ngrohjes qendrore". Tani për tani bashkia ka siguruar ngrohje me zjarr në pesë dhoma studimi ku ka vendosur stufa me dru dhe nxënësit mund të studiojnë dhe kalojnë kohën më të madhe të tyre në kushte normale. Nxënësit shprehen të shqetësuar për mungesën e ngrohjes nëpër dhoma ku bën shumë ftohtë, madje kishte prej tyre që ishin të mendimit të braktisnin shkollën nëse nuk sigurohej ngrohja në konvikt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›