Pasaportat biometrike, 2 vjet afati i pajisjes së shqiptarëve
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Armand Teliti, deklaroi dje se për pasaportat biometrike shqiptarët do të kenë dy vjet kohë për t‘u pajisur. Pas këtij afati, askush nuk do të mund të përdorë pasaportat e vjetra, ndonëse ato do të jenë brenda afatit. Lidhur me mënyrën e aplikimit për pasaportat biometrike, drejtori Teliti tha se qytetarët do të duhet që të pajisen me një kupon pas kryerjes së pagesës në sportelet e Postës Shqiptare. Më pas duhet të paraqiten së bashku me kartën e identitetit në të cilën ndodhen të gjitha të dhënat e tyre, e pikërisht për këtë arsye nuk ka më nevojë që ata të riaplikojnë duke dhënë shenjat e gishtërinjve apo gjeneralitetet e tjera.