E Diel, 1 Nëntor 2026

Konvoji rus me ndihma nuk lejohet pa i kaluar procedurat

Qeveria e Kosovës në konsultim me autoritetet e EULEX-it dhe KFOR-it, është e vendosur që mos ta lejojë të hyjë në Kosovë konvojin me ndihma të ardhura nga Rusia për serbët e veriut të Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave të rregullta, doganore dhe policore të Republikës së Kosovës.

Konvoji me ndihma i udhëhequr nga ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Konuzin, sipas drejtuesve të Qeverisë, nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përkundrazi ka efekt të kundërt.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë para kabinetit qeveritar se në veri të Kosovës nuk ka krizë humanitare, por megjithatë ndihmat janë të mirëseardhura, por ato duhet t’i nënshtrohen kontrollit doganor, policor dhe shtetëror të Kosovës.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Edhe ky konvoj duhet të respektojë në plotni të gjitha procedurat doganore, policore, shtetërore të Republikës së Kosovës nëse dëshiron të futet në territorin e Republikës së Kosovës. Në çdo rrethanë tjetër ata mund të rrinë aty, por nuk është mirë ta dëmtojnë relacionin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa në anën tjetër mund të hyjnë në pikat tjera kufitare që gjithashtu do t’i nënshtrohen procedimit të rregullt të të gjitha kritereve që parashihen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se prezenca e ambasadorit rus në pikën kufitare 1 në veri nuk ndikon pozitivisht në relacionet Kosovë-Serbi.

Ai ka shtuar se nuk ka nevojë të ketë qasje selektive për Kosovën apo për një pjesë të Kosovës, ngase është një tërësi dhe qytetarët e saj janë të barabartë.

“Në asnjë rast nuk është çështje a do të lëshojmë pe apo do të ketë kompromis. Janë kushtet e parapara me ligj. Nëse kërkohet të ketë një kontroll të tillë, kudo tjetër në botë edhe te ne dhe po ashtu do të punojmë me intensitet të plotë që ato ndihma mos të keqpërdoren në kuptimin e përceptimeve politike apo të tensionimit të situatës. Tek e fundit nëse ka nevojë për ndihma, e di që ka nevojë në tërë Kosovën që të jetë mirëqenia më e madhe, qendra e parë është Qeveria e Kosovës që iu ndihmon atyre, të tjerët mund ta bëjnë atë ngapak me ngjyrime politike. i kuptojmë edhe ata, por megjithatë respektimi i procedurave është kusht ligjor, nuk është kusht i negociueshëm”, ka thënë Kuçi.

Konvoji rus me ndihma për serbët e veriut të Kosovës është ndaluar të martën nga EULEX -i në vendkalimin kufitar në Jarinjë, pasi që EULEX-i ka kërkuar përcjellje të këtij konvoji deri në Mitrovicë.

Pas këtij ndalimi, serbët në urën e Zveçanit kanë bllokuar 10 xhipa të EULEX-it me 22 pjesëtarë të misionit të cilët, sipas vendimit të shefit ë EUELX-it, Xavier Bout de Marhnac është dashur ta siguronin konvojin. Në përcjellje të konvojit me ndihma ruse është edhe ambasadori rus në Beograd Aleksandër Konuzin. /kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›