E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Mocionin do ta respektojmë 'germë për germë'

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shprehur të mërkurën gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar mocionin për reciprocitetin të miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht deklaratave të shefit të ICO-së Piter Feith se mocioni nuk është obligativ për Qeverinë, Kuçi ka thënë se ai mocion do të respektohet në përpikëri.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, me ç’rast ka thënë se reciprociteti me Serbinë është zbatuar dhe po vazhdon të zbatohet edhe tani, edhe në aspektin ekonomik edhe në atë politik.

“Zoti Feith e ka më lehtë të flasë, sepse nuk është zgjedhur nga Kuvendi. Ne jemi zgjedhur nga Kuvendi dhe ne jemi shumë të kujdesshëm që t’i respektojmë vendimet që i merr Kuvendi, është obligim i yni kushtetues”, është shprehur Kuçi.

Zëvendëskryeministri ka thënë se nuk ka dilemë nëse do të respektohet ai mocion apo jo, ndërsa për paralajmërimet e Lëvizjes Vetëvendosje për masa tjera nëse nuk respektohet mocioni ka shtuar se organizimet politike duhet të zgjedhin mes rrugës dhe Kuvendit.

“E para, nuk ka hapur dilema askush se nuk do të respektohen rekomandimet për reciprocitet. Do të respektohen fjalë për fjalë, germë për germë siç janë dhe e dyta është demokratike që njerëzit të mendojnë, Kosova është vend demokratik, në kuadër të ligjit ka mundësi çdokush t’i bëjë veprimet e veta, qoftë me protesta paqësore, apo përmes lëvizjeve në Kuvend. Por është mirë që çdo lëvizje, çdo organizim politik ta zgjedh ose Kuvendin, ose rrugën. Dyjat bashkë nuk shkojnë”, ka theksuar Kuçi.

Madje sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, edhe për çështjen e targave është duke u zbatuar reciprociteti me Serbinë, por është dhënë një mundësi për ndryshimin e tabelave nga RKS në KS. Sidoqoftë, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të jetë e kujdesshme në këtë drejtim, dhe për çdo veprim do të jetë e koordinuar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›