Koordinatori tradicional

Prej të mërkurës deputeti Blerim Shala ka marrë një post të ri shtetëror – atë të koordinatorit të dialogut me Serbinë.
Nënkryetari i Parë i AAK’së është emëruar në këtë pozitë nga Presidentja Atifete Jahjaga me dekret të veçantë.
Në këtë formë, Partia e Ramush Haradinajt, që është në opozitë, ka vendosur ta ndihmojë bartësin e dialogut politik me Serbinë, Kryeministrin Hashim Thaçi.
Presidentja Jahjaga ka pritur Shalën, ndërsa për emërimin ka njoftuar përmes një e-maili.
Zyra e Kryeministrit ka reaguar menjëherë pas emërimit të Shalës, duke përshëndetur vendimin e Jahjagës.
“Kryeministri Hashim Thaçi ka mirëpritur dekretimin nga Presidentja e Kosovës të Blerim Shalës në pozitën e koordinatorit politik..”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Ndryshe prej Kryeministrit, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të gabuar emërimin e deputetit opozitar si bashkërendues të dialogut.
Sipas Albin Kurtit, Presidentja nuk është dashur të emërojë koordinator të dialogut me Shtetin serb, i cili po vazhdon ta luftojë Kosovën brenda dhe jashtë saj.
Kurti ka thënë se afërsia me PDK’në është afërsi për negociata, derisa ka kritikuar Shalën për gatishmërinë e treguar për të hyrë në dialog me Serbinë.
Koordinatori i ri i dialogut me Serbinë, Blerim Shala nuk ka folur për emërimin, ndërsa në emër të AAK’së është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm Burim Ramadani.
Sikurse Qeveria, edhe AAK’ja e kanë përshëndetur vendimin e Shefes së Shtetit.
“Edhe unë si Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, por edhe Aleanca e mirëpresim emërimin e z. Shala në këtë detyrë”, ka thënë Ramadani për Express të enjten.
Ai ka deklaruar se pozita e re e Shalës është në përputhje me politikën dhe angazhimin e AAK’së.
Ky zyrtar i AAK’së ka thënë se Shala në postin e ri është emëruar për të mirën e Kosovës.
“Jemi të kënaqur me emërimin e Nënkryetarit të Parë të AAK’së. Kosova dhe Qeveria janë dy elemente të ndryshme dhe ne po mundohemi ta japim angazhimin tonë për Kosovën, për interesat nacionale të Kosovës dhe si i tillë ky angazhim në mënyrën më të mirë mund të jetë nga z. Shala”, ka thënë ai.
Njësoj sikurse AAK edhe LDK e ka përkrahur Rezolutën e miratuar në Kuvend për normalizimin e raporteve me Serbinë. Por, partia e Isa Mustafës ka vendosur të mos e imitojë AAK’në kur bëhet fjalë për përfshirjen në procesin e dialogut.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Express se presin që edhe LDK të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut.
Por, përgjigja e LDK’së është negative.
“LDK e ka qëndrimin se nuk bëhemi pjesë e krijimit të trupave të tilla. Janë institucionet, përkatësisht Qeveria që ta përfaqësojnë shtetin, siç e kanë marrë pëlqimin e qytetarëve”, ka thënë Sadri Ferati, anëtar i Kryesisë së LDK’së.
“Aty ku kemi krijuar legjitimitet, aty do të marrim pjesë. Në Parlament do të marrim pjesë, ndërsa Qeveria duhet ta udhëheqë tërë procesin”, ka shtuar ai.
Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se edhe për Veriun duhet të gjendet një zgjidhje mes Qeverisë dhe banorëve, ndërsa Blerim Shalën e ka parë si njeri të duhur në këtë proces.
Sido që të jetë, Shala në secilin deklarim publik ka kërkuar të përgatitet një plan për Veriun si dhe të gjendjet një zgjidhje për atë pjesë.
“Nuk do të jetë lehtë fare në këtë dialog. Dhe dihet shumë mire, si prej nesh, ashtu edhe prej Brukselit dhe Beogradit, se cila do të jetë sfida kryesore e kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare. Për Veriun e Kosovës është fjala”, ka shkruar Shala.
Udhëheqësi aktual i AAK’së ka shkruar se duhet të dihen rezultatet e dialogut dhe të ketë një plan të detajuar edhe për Veriun.
“Kosovës i duhet pra sa më parë që është e mundur një plan i qartë, detajizuar, i shpjeguar mirë, i synimeve tona në këtë dialog...dhe që njohin si kryefjalë krijimin e rrethanave kur autoriteti qeverisës i Kosovës do të shtrihet edhe në Veri dhe kur Kosova do të mbërrijë të anëtarësohet në OKB”.
Ndryshe, Blerim Shala prej kohës së luftës është marrë me procesin e bisedimeve me Serbinë në Rambouillet si një figurë e pavarur.
Në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës, Shala ishte emëruar nga Presidenti Rugova koordinator i bisedimeve dhe udhëheqës i Grupit Politik Strategjik.
Ndryshe, hyrja e Shalës në ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë po shihet edhe si hap i parë para se Partia e Ramush Haradinajt të bëhet pjesë e Qeverisë. Por, kjo pritet të qartësohet pas 29 nëntorit, kur do të merret vendimi i Hagës për Liderin e AAK’së.