Kopenhagën, blindohet qyteti nga protestat e antiglobalistëve
Më shumë se 400 persona janë arrestuar në Kopenhagën, në kryeqytetin e Danimarkës, ku që prej ditës së hënë po zhvillohen punimet për Samitin e Klimës. Më shumë se 30 mijë protestues në rrugët e qytetit i kanë kërkuar negociatorëve që marrin pjesë në Konferencën e OKB-së për Klimën një marrëveshje të fortë dhe ligjërisht të detyrueshme për të luftuar ngrohjen globale. "Veproni tani", "Nuk ka një plan B", "Ndryshoni politikën, jo klimën", ishin disa prej sloganeve që lexoheshin në parullat që manifestuesit mbanin në duar, shumë prej të cilëve të maskuar si arinj polarë dhe panda. Të dhënat për përplasjen me forcat policore flasin për 400 të arrestuar. Incidentet nisën menjëherë pas nisjes së grupit të antiglobalistëve në Kopenhagën. Një grup rreth 300 manifestuesish, të veshur me të zeza, kanë thyer xhamat e vitrinave të dyqaneve dhe kanë goditur me gurë në kryeqytetin danez. Nga përleshjet me policinë mësohet se ka pasur edhe dy të plagosur. Në protestë ku morën pjesë 515 organizata nga 67 vende të ndryshme, sipas policisë ishin 30 mijë persona. Organizatorët flasin për një shifër që i kalon 100 mijë. Protesta të tilla janë zhvilluar në të gjithë botën. Dhjetëra persona kanë zbritur në shesh në shumë vende aziatike për t‘u kërkuar të mëdhenjve që marrin pjesë në Samitin e Klimës të hartojnë një marrëveshje që të frenojë ngrohjen globale.