Papandreu: Nuk na duhet ndihma e FMN-së, do t‘i zgjidhim vetë problemet tona
Edhe pse në një situatë të zezë dhe të errët financiare, më e keqja në 30 vitet e fundit, Greqia e Papandreut duket se kërkon të provokojë hapur. E vetme, pa ndihma nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe me objektivin që brenda katër vjetëve ta çojë raportin deficit-PBB, nga 12.7 që është aktualisht nën 3 për qind. Një mision në kufijtë e së pamundurës, që do t‘i bëjnë jashtëzakonisht të nevojshme "masat e rrepta dhe guximtare", të cilave iu referua një ditë më parë edhe numri një i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet. Të gjitha këto synojnë të ndihmojë Athinën të zgjidhë nyjën e një borxhi publik prej 300 miliardë eurosh që gjatë kësaj jave i ka çuar tregjet në rrezik. Kryeministri grek, Papandreu, ka vazhduar të përdorë tone siguruese (Greqia nuk është Dubai), duke falënderuar mbështetjen e ardhur nga mbledhja e liderëve europianë në Bruksel. Papandreu u shpreh i bindur se Greqia nuk rrezikon një mospagim të borxheve (një hipotezë e mundshme për një te tretën e qytetarëve), dhe ka përjashtuar kategorikisht një ndihmë nga FMN (as që bëhet fjalë) dhe aq më tepër një dalje nga Eurozona (është një mundësi që nuk ekziston). Por, nga fjalët duhet kaluar te faktet. Madje sa më shpejtë të jetë e mundur. Pasardhësi i Karamanlisit, duhet të prezantojë javën e ardhshme, ndoshta që nesër, planin antideficit, pas takimit me sindikatat. Qëllimi është vendosja në "fushë" duke nisur që nga 2010, e reformave të nevojshme për të ekuilibruar sërish llogaritë. "Megjithatë do të na duhet ndihma e qytetarëve, meqenëse do të marrim vendime të vështira", tha Papandreu. Masat fiskale për të vendosur rregull në financat publike do të përfshijnë shkurtime në aparatin burokratik dhe shkurtimin e harxhimeve në sektorin publik, por nuk përjashtohet as "ngrirja" e rritjes së rrogave të nëpunësve publikë për tre vjet. Nëse evazioni fiskal dhe korrupsioni do të luftoheshin, ka saktësuar Kryeministri grek, problemet ekonomike të vendit do të zgjidheshin. Ndërkaq edhe ministri i Financave, George Papacostantinou, ka pranuar se nuk ka më kohë për të humbur dhe se reformat duhen nisur urgjentisht. Në një fjalim të mbajtur dje në Athinë, ai deklaroi: "Sfida më e madhe për qeverinë është të rifitojë besueshmërinë. Nismat tona do të jenë më të shpejta dhe më dinamike. Nuk mund t‘ia lejojmë vetes luksin që të presim. Do të përshpejtojmë gjithçka, për këtë i premtojmë qytetarëve grekë". Papacostantinou specifikoi se nga java e ardhshme do të nisin kontaktet për të ndërtuar një sistem fiskal më efikas dhe më të balancuar dhe duke nisur që nga 2010 do të ndërmerret një analizë e shpenzimit publik me asistencën e shoqërive të certifikuara ndërkombëtare.