E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, rrëfimi: Si mu dogj e gjallë gruaja para syve

TIRANË-Babë e bir të familjes Laci kanë dëshmuar sot në Gjykatën e Tiranës për tmerrin që përjetuan më 15 Mars 2008 në Fabrikën e Gërdecit. Me lot në sy dëshmitarët treguan sesi u dogj e gjallë Nafije Laci, dhe kushtet e punës në fabrikën e Alba-Demil. “Pamë një flakë të madhe 3-4 metra larg vendit ku punonim, aq të madhe sa të tre gruaja, djali atëhere 15-16 vjec dhe unë vrapuam ku të mundnim. Pashë gruan që mori zjarr, e gjitha dhe e morëm në krahë e së bashku me djalin vrapuam sërisht të shpëtonim”, rrëfeu para trupit gjykues Mustafa Laci, ish-punonjës i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Më pas ai rrëfeu se ka vrapuar për 300 metra dhe më pas është rrëzuar pa ndjenja. Pas disa orësh ai ka hapur syte ku e ka parë veten në spital i rrethuar nga focat RENEA. Aty mësoi dhe për vdekjen e gruas.
Mustafai i pyetur nga prokurorët pohoi se në fabrikë i punësoi Dritan Minxolli. Ai shtoi se nuk do futej kurrë në një punë të tille ku demontimi kryhej në kushte primitive, por hallet e detyruan të punonte me armët dhe në kushte shumë të vështira. Në këtë pikë të deklaratës ka reaguar i pandehuri Minxolli që e ka pyetur “se pse nuk qenka ankuar asnjëherë në zyrën e tij zotëria për kushtet e këqia në punë”. Mustafa Laci ka reaguar ashpër se “ jetoja në kushte kaq të vështira sa nuk mund të ankohesha për asgjë”
Dëshmia e Mustafa Lacit ka vijuar me faktet se në kohën që është punësuar në Alba Demil nuk ka patur ansjë kontratë punësimi dhe kushtet e sigurisë linin për të dëshiruar.

Dëshmon i mituri
Më pas dëshmitari i radhës, Vasil Laçi, 17 vjeç, një nga të mbijetuarit e shpërthimit të 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, djali i Mustafa Lacit pohoi se në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec, të Tiranës, ishin të punësuar edhe persona me moshë të vogël ose të mitur. Deklarata per punesimin e te miturve pason ato te dhena keto dite nga deshmitare te tjere ne kete proces. 
I mituri pohoi se së bashku me anëtarët e familjes së tij, babain dhe nënën e tij, ishin të punësuar në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, ku paguheshin me 10 mijë lekë të vjetra në ditë secili.
Ai deklaroi se, punën në fabrikë e kishte filluar pasi një i afërm i tij kishte kontaktuar me drejtorin e fabrikës, të pandehurin Dritan Minxholli. Duke folur mbi procesin e punës që bënte për c'montimin e municioneve luftarake si dhe transportimin e barutit në kontenierë, ai deklaroi se, kishte parë edhe bashkëmoshatarë të tij që punonin në fabrikë. Siç bëri të ditur 17 vjeçari, puna në fabrikë ishte organizuar në grupe me nga 3 ose 4 puntorë, që merreshin me procese të ndryshme si demontim dhe transportim të municioneve luftarake, fishekë dhe predha dhe barut, nën mbikëqyrjen e një specialisti. Dëshmitari tregoi se, ishte trajnuar për punën që do bënte vetëm tre ditët e para në fabrikë.
17 vjecari tregoi se veglat e tij të punës ishin leva për hapjen e arkave me municion fishekë dhe predha të demontuara, pinca si dhe kaçavida.

Djaloshi më pas me lot në sy tregoi sesi u dogj nëna e tij para syve.

Prej disa ditësh, procesi për çështjen "Gërdeci", ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen nga Gjykata.
Të pandehur në këtë proces janë 29 persona shumë nga të cilët ish funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, të cilët akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pati dëme të konsiderueshme materiale. Jashtë grupit të dëshmitarëve është dhe ish-ministri i Mbrojtjes në kohën që ndodhi shpërthimi Fatmir Mediu, cështja ndaj të cilit u pushua pasi ai u rizgjodh deputet. Familjarë të viktimave të tragjedisë i kanë kërkuar Prokurorisë së përgjtihshme të rimarrë të pandehur apo në cilësinë e dëshitarit Fatmir Mediun.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›