E Diel, 1 Nëntor 2026

Koplik, banorët bllokojnë firmën e ujit, vonesa në shpronësime

 

KOPLIK – Disa familje në fshatrat e komunës së Shkrelit janë bërë pengesë për ecurinë e një prej investimeve më të mëdha në qytetin e Koplikut, siç është ai i furnizimit të këtij qyteti me ujë të pijshëm. Vonesa në shpronësime për 2 km distancë nga ku do të kalojnë tubacionet e ujit të pijshëm është bërë shkak që banorët e 2 fshatrave të mos lejojnë firmën austriake që kishte marrë përsipër realizimin e projektit për vazhdimin e punimeve. Të ndodhur para një situate të tillë përfaqësuesit e kësaj firme janë detyruar që të largohen nga Kopliku, duke lënë 40 % të punimeve pa u përfunduar akoma. Megjithëse furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Koplikut është tepër alarmant, (vetëm 2 lagje kanë 30 minuta në ditë furnizim me ujë), kjo gjë nuk i ka penguar 40 familjet e fshatrave Reç dhe Rrjoll që të lejojnë vazhdimin e punimeve në 2 km gjatësi lineare të hapjes së kanalit dhe futjen e tubacioneve të ujit të pijshëm në të. Burime nga Bashkia e Koplikut pohojnë se pasi kanë pritur rreth 2 vite që të shpronësohen për tokat e tyre nga shteti dhe kjo gjë nuk është arritur, atëherë ata nuk kanë lejuar përfaqësuesit e firmës austriake që të vazhdojnë më tej punimet. Burime nga Bashkia e Koplikut pohojnë se ka rreth 1 muaj që përfaqësuesit e firmës janë larguar nga qyteti, madje ato kanë mbyllur edhe zyrat e tyre në këtë qytet dhe nuk dihet se kur do të kthehen. Problemi për 2 km rrugë kishte rreth 2 vite që ishte bërë pengesë për vazhdimin e punës, madje për ta zhbllokuar një situatë të tillë ishin zhvilluar disa takime me përfaqësues të pushtetit vendor të Ministrisë së Transportit dhe të firmës austriake, por asgjë nuk është arritur. Ky projekt po realizohej falë një fondi që kap vlerën e 1.4 milion euro, i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare dhe duhej të përfundonte në janar të vitit 2008.                        r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›