E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Durrës, dy të vdekur

 

DURRES/ OERD ULQINI

Jetët e një çifti të ri bashkëshortësh kanë përfunduar tragjikisht pas një aksidenti në superstradën Tiranë-Durrës. Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e menjëhershme të Altin Dervishit 33 vjeç nga fshati Koxhas i Shijakut dhe i bashkëshortes së tij, Valmira Dervishi 25 vjeç ka ndodhur në orën 02:00 të mëngjesit, pranë mbikalimit të “Shën-Vlashit”. Autovetura po kthehej nga kryeqyteti, teksa fare pranë hotel “Delta”, ka dalë nga rruga, duke vërshuar me shpejtësi marramendëse jashtë asfaltit. Makina është gjendur e copëtuar në shumë pjesë, ndërkohë që as mund të mendohej fakti për t’i dhënë të dëmtuarve ndihmën e parë, pasi ata tashmë kishin ndërruar jetë. Në timonin e autoveturës tip “Honda” me targë të huaj BV 344 GZ ndodhej Altin Dervishi. Sipas Policisë Rrugore shkak i kësaj tragjedie është bërë shpejtësia mbi 140 km në orë, me të cilën po drejtohej autovetura. Mësohet se radarët e shumtë të vënë nga Qarkullimi Rrugor e kanë pikasur shpejtësinë e kësaj makine. Madje edhe dy postblloqe policie kanë kërkuar ndalimin e mjetit, por ka qenë e kotë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës njofton se “patrulla e parë i ka dhënë shenjë ndalimi, por mjeti nuk ka qëndruar”. Atëherë punonjësit e policisë kanë kontaktuar me patrullën e dytë, e cila ndodhej në distancë prej pak kilometrash. Mjetit “Honda” i është dhënë sërish shenjë ndalimi edhe nga ana e këtij shërbimi, por pa rezultat. Si pasojë e shpejtësisë tepër të madhe automjeti i prodhimit japonez, ka dalë nga rruga, duke sjellë pasoja fatale për drejtuesin dhe bashkëshorten e tij. Nisur nga fakti se autovetura ishte pikasur në kohë reale, ndërhyrja e policisë ka qenë urgjente, por tashmë tragjedia bashkëshortore ishte konsumuar. Ekspertët e qarkullimit rrugor kanë hartuar mekanizmin e ngjarjes, pasi për detajet e aksidentit, janë njohur nga deklaratat e patrullës si dhe nga konkluzionet e shpejtësimatësit elektronik. Pasi është përfunduar akt-ekspertimi, autostrada është lënë e lirë për lëvizjen e mjeteve të tjera, ndërkohë që policia është kujdesur për transportin e viktimave dhe të pjesëve të mbetura të “Honda”-s. Hetimi po vazhdon nga ana e policisë dhe e prokurorisë mbi shkaqet e aksidentit. Veç shpejtësisë do të verifikohet nëse drejtuesi i mjetit ka qenë i pirë në çastet e aksidentit fatal.

Në një muaj, 30 viktima në Durrës

Një bilanc i frikshëm morti ka goditur akset rrugore të Durrësit këto ditë vere. Në më pak se 30 ditë mes Maminasit, Sukthit, Shijakut dhe Durrësit kanë humbur jetën 15 persona, ndërsa tetë të tjerë kanë pësuar gjymtime të rënda trupore. “Kemi kërkuar përforcime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Forca të shtuara nga Tirana do të qëndrojnë për patrullime dhe kontrolle në rrugët e Durrësit. Veç forcave njerëzore shtesë, Drejtoria e Përgjithshme do të na sigurojë edhe radarë dhe alkoolmatës të tjerë”, u shpreh pak ditë më parë numri 1 i policisë së Durrësit, Ilia Nasi. “Megjithatë sado përpjekje kolosale që të bëjë Policia e Shtetit, në radhë të parë duhet ndërgjegjja e mirë e atyre që janë në timon”, ka vijuar më tej apeli i kryepolicit.

Aksidentohet 77-vjeçari
Një 77-vjeçar ka gjetur vdekjen në aksin rrugor Shkodër-Velipojë në orët e vona të së enjtes. Martin Vushaj, 77 vjeç ka gjetur vdekjen ndërsa po ecte në këmbë në anë të rrugës. Vetëm pak orë pas aksidentit Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të këtij aksidenti, Gjergj Gramshi, 58 vjeç. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Sektor, kur kalimtari i moshuar u përplas nga automjeti. Policia ndaloi Gramshin si shkaktar, ndonëse aksidenti ndodhi në një zonë të pandriçuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›