E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laborator i ri për gjuhën angleze në UT

Qendra e Informimit dhe Aftësimit për Gjuhën Angleze, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të UT-së, është rikonstruktuar tërësisht falë një investimi të kryer nga ana e British Council. Ky investim përfshin rindërtimin e ambienteve të brendshme, mobilimin dhe pajisjen me materiale mësimdhënieje për pedagogët dhe studentët, jo vetëm të departamentit të gjuhës angleze, por për të gjithë studentët e këtij fakulteti. Koleksionit ekzistues të literaturës i janë shtuar falë kësaj ndërhyrjeje rreth 700 tituj librash, 11 tituj periodikësh të ndryshëm, materiale audiovizive etj., që përfaqësojnë më të mirën e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të përmirësimeve cilësore në të mësuarin e gjuhës angleze. Kjo mbështetje në literaturë do të vazhdojë t‘i ofrohet fakultetit në tre vitet e ardhshme. Një rëndësi mjaft të madhe ka krijimi i një laboratori kompjuterik për të zgjeruar mundësitë e pedagogëve dhe studentëve për akses në metodat dhe burimet më të avancuara të studimit e kërkimit, shumë prej tyre të dizajnuara e të prodhuara po nga British Council. E tillë është platforma online "Your Global Home" http://www.teachingenglish.org.uk

Kjo platformë ofron tashmë, falë ndërhyrjes së Këshillit Britanik, edhe për mësuesit shqiptarë, disa nga arritjet më të mira të Mbretërisë së Bashkuar në sektorin e mësimdhënies së gjuhës angleze, duke mundësuar: përdorimin e teknologjive të reja në mësimdhënie, hartimin e planeve mësimore, rrjetin e mësuesve për t‘u informuar e për të mësuar nga eksperienca e njëri-tjetrit, zhvillim profesional të tyre. Në ceremoninë e hapjes së qendrës që bëhet sot paradite do të marrin pjesë: Fiona McIlwham, ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Halit Shamata, zëvendësministër i Arsimit, Dhori Kule, rektor i UT-së. Në Shqipëri, Këshilli Britanik mbështet kryesisht mësuesit e gjuhës angleze, duke u vënë në dispozicion produkte cilësore dhe duke i përfshirë në projekte që synojnë përmirësimin e standardeve në punën e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›