Pijanecët, brenda qershorit çelet shërbimi trajtues për ta
Shërbimi i Alkoologjisë, që do të presë pacientët e alkoolizuar e do të japë asistencë mjekësore dhe sociale, do të çelet brenda muajit qershor. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë. Alkoologjia klinike është një projekt i Shkollës Europiane të Alkoologjisë dhe Psikiatrisë Ekologjike, si dhe Karitasit Dioçezan të Udines (Itali), i cili parashikon ngritjen e këtij shërbimi në Shqipëri. Pas një bashkëpunimi të institucioneve italiane me Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmohet se deri në fund të muajit do të inaugurohet Klinika Trajtuese e Varësisë Alkoolike. Shërbimi ndodhet pranë Klinikës Psikiatrike në QSUT dhe ka një kapacitet me 10-12 shtretër. Përzgjedhja e pacientëve me varësi alkoolike, për të cilët gjykohet i nevojshëm trajtimi në kushte spitalore, përbën momentin e parë të ndërhyrjes, që realizohet përmes anamnezës, ekzaminimit fizik dhe atij laboratorik. Aktiviteti klinik i këtij shërbimi do të bazohet në filozofinë dhe teknikën trajtuese Hudolin, që konsiston në kombinimin modalitik të terapisë sjellore me farmakoterapinë me disulphiram, ku e para përbën kyçin e suksesit të kësaj teknike, për vetë vlerat motivuese që ajo përmban. Pas fazës përzgjedhëse, pacientët do të trajtohen për 4-5 ditë për dominimin e sindromit të tërheqjes alkoolike dhe detoksifikim, për të kaluar në terapinë trajtuese mbështetur nga psikoterapia në grup, me pjesëmarrjen edhe të familjarëve. Çdo pacient do të menaxhohet nga dy operatorë (shëndetësorë dhe socialë), pa nënvleftësuar shërbimin infermieristik të specializuar, që do të zgjasë rreth një muaj. Aktiviteti i shërbimit do të orientohet nga një program rigoroz javor, i cili parashikon ndër të tjera pushimin fundjavor për pacientët, që do t‘i kalojnë këto ditë pranë familjeve të tyre për t‘u rikthyer përsëri të hënën në klinikë.