Koplik, zjarr në punishten e nënkryetarit të Bashkisë
KOPLIK/ RITVAN DIBRA
Digjet punishtja e përpunimit të drurit në pronësi të nënkryetarit të Këshillit të Bashkisë në qytetin e Koplikut. Rreth 70 mijë euro përllogaritet vlera e dëmit, ndërkohë që si shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë energjia elektrike.
Flakët e para në objektin që ndodhet në qytetin e Koplikut janë parë rreth orës 24:00 të së shtunës. Zjarri sipas policisë ka rënë në magazinën e firmës "Mehi" sh.p.k, e cila është në pronësi të Sulejman Dulit, nënkryetar i Këshillit të Bashkisë së Koplikut. Pas shuarjes së zjarrit grupi i ekspertëve, megjithëse ka punuar gjatë gjithë ditës së diel, ende nuk ka dalë me një përfundim zyrtar për shkakun e rënies së zjarrit, por deri tani mendohet se shkak për rënien e zjarrit ka qenë energjia elektrike. Rreth orës 23 e 40 minuta është konstatuar se një kabllo e linjës së tensionit të mesëm që kalonte pranë magazinës është këputur dhe ka rënë mbi çatinë e magazinës së ndërmarrjes së përpunimit të drurit. Për pasojë, flakët kanë përfshirë tavanin e repartit të përpunimit të drurit. Të favorizuara nga prania me shumicë e lëndës drusore, ato përfshinë brenda pak minutash të gjithë godinën. Kanë qenë banorë të zonës pranë, të cilët kanë lajmëruar zjarrfikësit për ngjarjen dhe vetë kanë vrapuar të parët për të kontribuar së bashku me punonjësit me orë të tëra, që të izolonin vatrën e zjarrit. Në vendin e rënies së zjarrit kanë mbërritur tre zjarrfikëse, dy nga Shkodra dhe një nga Malësia e Madhe. Zjarrfikësit tregojnë se puna e tyre në orët e natës ka qenë shumë e vështirë, pasi flakët janë ndihmuar jo vetëm nga era që frynte, por edhe nga materialet e drurit që ndodheshin në magazinë. Vetëm në të zbardhur është arritur që të shuhen plotësisht flakët. Tymi i madh i dalë nga djegia ka bërë që e gjithë zona e Koplikut të përfshihet nga re tymi dhe banorët të shqetësohen për faktin se flakët mund të rrezikonin edhe ndërtesa të tjera aty afër. Ndërmarrja e përpunimit të drurit ishte në pronësi të Sulejman Dulit, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Koplikut. Duli është një ndër biznesmenët më të rëndësishëm të Malësisë së Madhe jo vetëm se aktiviteti i tij ka nisur që në fillim të viteve '90-të, por edhe për faktin se ka krijuar lidhje të qëndrueshme me tregun italian. Dëmi i shkaktuar nga rënia e zjarrit mund të jetë rreth 70 mijë euro, pasi në magazinë ishte i gjithë materiali që pritej të nisej për në Itali. Vetë Duli tha dje se i gjithë dëmi është shkaktuar nga energjia elektrike. "Shpeshherë jam ankuar që të sistemohet sistemi i furnizimit, pasi kabllot kanë rrezikuar dhe herë të tjera aktivitetin tim. Por askush nuk na dëgjoi, derisa ndodhi kjo. Për fat nuk ka pasur njerëz brenda godinës". Pas kësaj ngjarjeje ekspertë të hetimit të dëmit ndaj pronës pranë Drejtoria e Policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me ekspertët e zjarrfikësve kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e kësaj ngjarje. Nga burime pranë grupit hetimor, paraprakisht mësohet se shkaku i rënies së zjarrit të ketë qenë energjia elektrike, pasi një përcjellës i tensionit të mesëm është gjetur mbi mbeturinat e çatisë së ndërtesës, por nuk përjashtohen as pistat e tjera: ato të rënies së zjarrit nga pakujdesia apo vënie e qëllimshme e zjarrit. Grupi hetimor është duke grumbulluar provat në vendngjarje si dhe është duke grumbulluar dëshmi të punonjësve të kësaj punishte, si dhe të vetë banorëve të zonës.