E Diel, 1 Nëntor 2026

Budina: Mbledhja sekrete në shtëpinë e Pashkos, te porta më kërkuan parullën

 

Ferdinand Dervishi

Edmond Budina është një artist. Madje, edhe këto ditë është në Tiranë për festivalin e filmit, ndërkohë që nëpër duar ka drejt përfundimit një film tijin, “Vallja e Flamurëve”, që fillon me xhirime në varrezat e Kosinës... Prandaj edhe kur rrëfen, rrëfen me pamjen e një artisti. Mendueshëm, me emocione dhe sy të fiksuar diku, kryesisht lart, një fenomen që u ndodh një pjese të njerëzve kur rrëfejnë, kur nxjerrin jashtë përmes gojës, një ngjarje që u qarkullon nëpër mendje si film. Budina është një nga protagonistët e lëvizjeve të dhjetorit 1990, që shënuan thyerjen e madhe, që shkëputën vendin nga kthetrat e ndryshkura të komunizmit. Protagonist, madje qysh nga takimi i njohur i Ramiz Alisë me intelektualët, protagonist edhe në takimin e studentëve me të në Pallatin e Brigadave, protagonist edhe në hartimin e Programit Minimal të Partisë Demokratike, mes shtatë apo tetë njerëzve, që më pas do të merrnin krejt frenat politike të shtetit shqiptar. I njëjti artist për çudi rrëfen edhe mbledhjen e themelimit të PD-së, rolin e secilit, rrjedhjen e ngjarjeve dhe kryqëzimin e me laps të kuq të fotografisë së tij, të marrë nga helikopteri, ditën kur u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës...
Zoti Budina, pas kaq shumë vitesh të shkuara, çfarë ju ngrenë më shumë krye në kujtesë, çfarë veçoni nga ngjarjet e dhjetorit 1990?
Do ju rrëfej pikërisht këto. Gjërat që më kanë mbetur më të forta në kujtesë. Në ato kohëra unë isha aktor i Teatrit Kombëtar dhe njëkohësisht pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve. Jepja mjeshtëri aktori dhe regjisurë. Kujtoj se pas vdekjes së Enver Hoxhës nisën të ndryshonin shumë gjëra. Por gjithçka shpërtheu në 1990. Që të bëj një ekspoze të situatës që përjetonim, pra para se të vijmë te këto ngjarje shumë të njohura, po ju rrëfej një histori timen me dramën “Nata me hënë”. Drama ishte me subjekt të marrë nga një novelë e Ismail Kadaresë, që unë e vura në skenë pasi shkrova vetë skenarin. Pati një histori edhe me vënien në skenë të kësaj pjese, sepse kaloi në filtrin e një komisioni të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Ata e panë pjesën dhe raportuan se ajo vinte në lojë Enverin e Nexhmijen. Kujtoj se më ka ardhur edhe një letër anonime me kërcënime, që ende e ruaj. Që thoshte pak a shumë: “Ti mor maskara, që ke bërë gjithë atë karrierë, si guxon... Do ju shkelim me këmbë...” Por sërish pjesa u lejua të shfaqej. U lejua sepse dikush në Komitetin Qendror kishte argumentuar: “Nëse do e ndalojmë këtë pjesë do të na akuzojnë se nuk ka demokraci”. Kështu pjesa nisi të shfaqej, por nuk e mbushi një muaj, mos gaboj, sepse u ndërpre me ikjen e Ismail Kadaresë në Francë, kërkimin dhe marrjen e azilit politik. Isha në skenën e teatrit kur më thanë se Kadareja kishte ikur në Francë dhe kishte marrë azil. Ragimi im ishte i tillë që ju mbase nuk do ta besoni. Ishte data mos gaboj 24 tetor 1990. Pra, sapo dëgjova për ikjen e Kadaresë, kora mikrofonin dhe lëshova të dëgjonin të gjithë: “Ismail Kadareja iku! Ne do fitojmë!” Kujtoj se ngrita dy gishtat lart me shenjën e fitores. Kishin parë kosovarët më 1981 ta bënin këtë shenjë në protestat e Prishtinës. Kuptohet që shumëkush u frikësua dhe dikush më tha që të mos flas në këtë mënyrë se do përfundoja pas hekurave.
Ju keni qenë një nga intelektualët që morët pjesë në takimin e njohur me Ramiz Alinë. Përse ju zgjodhën juve? Si e kujtoni këtë takim?
Kam qenë në takim, por nuk e di përse më zgjodhën mua. Isha zv/sekretar i organizatës së partisë së teatrit në atë kohë. Kujtoj se një kolege pune, ekonomiste me profesion, që e kishte shtëpinë afër times, më tha një mëngjes se në orën 11:00 duhet të shkoja në një takim në Ramiz Alinë. Kujtoj se i jam përgjigjur: “Ç’punë kam unë te Ramizi, le të shkojë sekretari i partisë...” Gjithsesi shkova. Takimi ishte te Pallati i Kongreseve. Vesha një bluzë të bardhë me vija kafe, pra nuk u vesha me kostum dhe u nisa. Por u vonova duke çuar vajzën te një grua që kujdesej. Për këtë arsye shkova, mbase një minutë, apo dy, me vonesë. U futa në të njëjtën kohë me Fatos Nanon, edhe ky me vonesë. Kur hyra në derë, nga një tjetër drejtim u fut në sallë edhe Ramiz Alia. Më pa bluzën që kisha veshur dhe lëshoi: “Ç’është kjo bluzë, si marinar?” Kjo shkaktoi të qeshura në sallë. Por Ramizi shtoi ndërkohë: “Po, edhe si marinar, shumë mirë”. Mbase e bëri të gjithë këtë vetëm të shkrinte akujt në sallë. Se ja arriti qëllimit. Por vetëm sa për fillim sepse një minutë më vonë na e ngriu sërish gjakun kur tha: “Ne e kemi fituar pushtetin me gjak dhe me gjak do e lëshojmë”. Kjo shprehje mendoj se i frikësoi që të gjithë në sallë. Prandaj edhe Ismail Kadareja, edhe Sali Berisha, dy nga më të përgatiturit, nuk kërkuan më shumë se pluralizëm mendimesh. Pra nuk qëndron ideja se ata nuk ishin të qartë, apo vendi, njerëzit, nuk ishin të përgatitur. Thjesht askush nuk guxoi për më shumë. Madje kujtoj një moment kur Ramizi siluroi Berishën duke i thënë: “Mos përdor fjalë të huaja që nuk i kupton as vetë!” Mendoj se e përdori këtë sulm për ta frenuar, pasi Berisha i kërkoi shpjegime për një të vrarë në 2 korrik 1990, në ngjarjet e ambasadave. Edhe Kadareja, sipas bindjes sime gjithmonë, bëri lojën e një njeriu që nuk dinte më shumë. Për mua moskërkimi i pluripartizmit në atë takim ishte zgjuarsi dhe jo mungesë trimërie. Pra në atë takim ndihej frika. Është absurde të thuash se në atë kohë ne, pra rrethet e intelektualëve të Tiranës, nuk e dinin se çfarë ishte krijimi i një tjetër partie krahas asaj ekzistuese. E kishim thënë me kohë, e kishim biseduar me dhjetëra herë para këtij takimi. Pas takimit kujtoj se shkuam me Gramoz Pashkon dhe Fatos Nanon te “Dajti” për kafe. Kujtoj se Fatosi në atë kohë sillej si të ishte një nga ne, e ndienim afër vetes, një tip me pikëpamje liberale. “Ç’pati me bluzën tënde? Ç’është ajo shaka pa vend” – kujton Nanon se më tha kur po pinim kafe. Kujtoj se edhe në kafe biseduam për pluripartizmin si një domosdoshmëri. Ishte ndjesi e të gjithëve.
Si i kujtoni fillimet e lëvizjes studentore? 
Në kohën që nisën, pra në 8 dhe 9 dhjetor 1990, unë kam qenë në Zvicër. Ishte një turne. Shfaqëm pjesën “Epoka para gjyqit”. Gjatë kohës që ishim këtu, në Tiranë ishte hapur fjala se Ed Budina kishte kërkuar strehim politik në Zvicër. Në fakt një tentativë kishte pasur, por nuk isha unë protagonist. Kujtoj që ndërsa ishim në Zvicër pati disa aktorë, si Robert Ndrenika, Xhemil Tagani që më thanë të kërkonim strehim politik në Zvicër që gjithë si trupë. Më thanë:”Po kërkuam strehim politik që të gjithë sa jemi, Ramiz Alia do të bjerë”. U thashë: “Nuk mendoj se Ramizi do të bjerë edhe po e bëmë këtë”. Kur u kthyem, kujtoj se zhdoganimet bëheshin në Durrës. Një oficer i doganës sa më pa më foli: “U ktheve ti Mond Budina, se të gjithë e dimë se ke kërkuar azil?” Por edhe vëllai më thotë: “Pse nuk kërkove azil?” Unë kthehem dhe i them një fjali aq patetike, që më bën të qesh sa herë e kujtoj. I them: “Jam kthyer për të luftuar”. Ai duke e marrë me gjithë seriozitetin e momentit më thotë të shkojmë te studentët, se ‘kishte plasur atje’ se ata tashmë e kishin thyer akullin. Kujtoj se te studentët kam shkuar me Saimir kumbarën dhe mos gaboj, edhe me Bujar Kapexhiun. Ishte e njëjta ditë kur studentët do të shkonin në takim në Ramiz Alinë. Të parin takova Arben Derhemin. Ky më tha se më kërkonte Arben Imami që të shkoja te përfaqësia e studentëve. Shkova të një godinë studentësh, me numër 15 më duket. Aty ca studentë nuk të lejonin të futeshe. Doli një djalë, që më pas mësova se ishte Azem Hajdari. “Profesor Mondi, erdhe? Ja sa të flas me të tjerët...” Azemi u fut të fliste me përfaqësinë e studentëve për të më përfshirë edhe mua. Brenda Azemi u kishte thënë të tjerëve se te dera ishte Budina, se ai po vinte nga Zvicra dhe se u rekomandonte të gjithëve që unë të bashkohesha me grupin. Edhe Imami u kishte thënë se dilte garant. Kur u futa kam ndjerë nga emocionet më të mëdha të jetës sime. Sepse të gjithë studentët u ngritën në këmbë dhe nisën të më duartrokisnin. Kuptohet që u emocionova dhe nisa të flisja budallallëqe (qesh).
Zoti Budina juve jeni një nga pedagogët që keni marrë pjesë në takimin me Ramiz Alinë së bashku me studentët. Çfarë kujtoni, si e perceptoni këtë takim 18 vjet më pas?
Mua më përfshinë në listën e pedagogëve, duhet të ishin pesë, që morën pjesë krahas studentëve në takimin me Ramiz Alinë. Autobusi që do të na merrte erdhi në Qytetin Studenti. Kujtoj se kishte shumë emocione ai moment. Studentët shoqëronin autobusin në këmbë dhe një pjesë edhe e puthnin të përlotur. Por edhe ne ishim në delir. Sepse po shkonim të kërkonim diçka jo të zakonshme, do kërkonim pluralizmin politik. Atmosfera në brendësi të autobusit ishte gjithashtu delirante. Aty ishin edhe Lisien Bashkurti, Sekretar i K.Q., të Rinisë dhe Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit. Na kishin thënë se takimi do të bëhej në një sallë të Pallatit të Kongreseve. Por aty ku rruga e Qytetit Studenti bashkohet me “Rrugën e Elbasanit”, autobusi mori majtas, në drejtim të Saukut. Një zhvillim që pezulloi të gjitha bisedat. “Mos, tani po na çojnë në Dajt, po na pushkatojnë!?” Ky ishte të paktën mendimi im i parë. Nuk e di për të tjerët, por e pashë që të gjithëve u mbeti fjala në grykë. Duket Gjinushi e kuptoi dhe shpjegoi në kohë se takimi do të ishte te “Pallati i Brigadave”. Dikur mbërritëm këtu. Kujtoj se nëpër shkurret dilnin e zhdukeshin koka të shumta ushtarësh por edhe civilësh kuriozë që flisnin pa turp e frikë. Ndërsa salla ishte gjithashtu e frikshme. Pas nesh kishte një perde të stërmadhe që nuk lejonte shikimin, por që lejonte fantazinë të merrte vrapin. Fiks pas kurrizit. U ulëm. Ramizi gjithsesi lozi politikanin me ne. Kujtoj se të gjithë ishim bërë gati ta gozhdonim me kërkesa. Madje Shinasi Rama më kishte kërkuar që ti mbështesja në sulmin e tyre me ndonjë batutë nga të filmave, që unë sipas tij i kisha në majë të gjuhës. Por Ramizi e dominoi takimin edhe prej faktit se që në fjalinë e parë tha se pluralizmi partiak ishte lejuar. Sepse rrëzoi shumë nga planet e studentëve, nga ato që kishin përgatitur për të thënë. Ndërsa unë kujtoj se kam bërë vetëm një pyetje. “Neve a do të na lejohet që gjërat kundër ti botojmë në Zërin e Popullit”, e pyeta. Ndërsa ai më hoqi qafe duke më thënë se varej nga kryeredaktori, se ai ishte zot i punës dhe se e vendoste ai dhe jo Ramiz Alia. Kujtoj se kur u kthyem sërish në “Qytetin Studenti” ata që na prisnin brohorisin me të madhe: “Kadare, Kadare!” Shkrimtari i njohur konsiderohej si simbol i rezistencës dhe i luftës kundër komunizmit.
Ju jeni një nga personat që keni marrë pjesë në themelimin e Partisë Demokratike. Si e kujtoni këtë ngjarje?
Kam qenë në mbledhjen themeluese, por unë si themelim të kësaj partie konsideroj një tjetër ngjarje. Pas takimit me Ramiz Alinë, mos gaboj, ne u mblodhëm te shtëpia e Gramoz Pashkos. Ishim shtatë apo tetë vetë. Ishte Aleksandër Meksi, Gramozi, Sali Berisha, genc Ruli. Azem Hajdari, Arben Imami dhe një vajzë, që nuk e kujtoj. Kur vajta te shtëpia e Pashkos, nj student i tij, që ruante te porta më kërkoi fjalëkalimin. E kishim bërë me fjalë për një fjalëkalim, apo parullë, por unë e kisha harruar. E kuptoni ç’ndodhte? Këtu, në këtë takim kaq të ngushtë, u hartua ai që u quajt “Programi Minimal i Partisë Demokratike”.
Cilët ishin më aktivët në dhënien e mendimeve?
Aleksandër Meksi dhe Sali Berisha. Por edhe Ruli e Ben Imami, kishin goxha ide. Ndërsa unë kujtoj se kam qenë më pak aktiv atë natë. Kujtoj ndërkohë edhe një tjetër detaj interesant. Pasi e hartuam, aty erdhi një jurist, mik i Pashkos, që punonte në Ministrinë e Jashtme. Quhej Sokol. Erdhi fshehurazi se kishte frikë mos e persekutonin. Ai e pa materialin me kujdes dhe bëri disa korrigjime nga pikëpamje juridike. Të nesërmen do të ishte mbledhja themeluese e Partisë Demokratike në “Qytetin Studenti”. Këtë që hartuam, programin, duhet ta lexonte Arben Imami. Gjatë gjithë natës e shumëfishuam me shkrim dore materialin. E bëmë disa kopje dhe në mëngjes e futëm në “Qytetin Studenti” nga disa drejtime. Menduam se sido që të ndodhte, një kopje do të ruhej dhe do të mbërrinte në kohë te i zoti. Morën nga një kopje dhe e fshehën në trup Arben Demeti, Bert Budina - im vëlla, Altin Basha, Kastriot Çipi e të tjerë...
Çfarë kujtoni nga mbledhja themeluese e Partisë Demokratike?       
Pak gjëra dhe shumë gjëra. Kujtoj se Sali Berisha ka sjellë Frrok Çupin duke e prezantuar si disident, por edhe Preç Zogajn. Ed Selami ndërkohë kishte nisur punën e sekretarit. Mbante shënim dhe dokumentonte gjithçka. Në sallë, te kinemaja e Q. Studenti, ishte një kaos i vërtetë. Kujtoj se ishte një kohë kur nisi të nuhatej përfitimi. Kur mbaroi idealizmi. Këtu është thyer. Mbase sepse iku frika. Kujtoj se dikush propozoi për të zgjedhur motrën e vet. “Motra ime është shumë e shkathët, ta zgjedhim...” Ndërhyri Pashko dhe ironizoi: “Njëlloj si të marrim një mjelëse të dalluar...” Por unë atë femrën e kam parë deri vonë në poste drejtuese të PD-së gjithsesi. Kryetar i parë i PD-së u zgjodh Azem Hajdari. Por të gjithë e kuptonin se ai do të ishte përkohësisht në atë post. Të tjerë lojtarë duhet të dilnin në skenë. Sepse misioni ynë ishte vetëm rrëzimi i sistemit. Edhe vetë Azemi e ka shprehur përafërsisht këtë që thashë më lart.
Si e mbani mend rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës?
Kam qenë edhe unë në shesh atë ditë. Bashkë me të tjerët. Por ajo që kujtoj më shumë është një takim enigmatik i disa viteve më pas, me një ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit. Sa më takoi, më tha se më kishte shpëtuar jetën. U hutova dhe kërkova shpjegime. Më thotë se mua më kishin fotografuar në turmë nga helikopteri dhe më pas, kur ishin stampuar filmat, më kishin rrethuar me laps të kuq si edhe shumë të tjerë, “për të më vrarë”. “Të kam çuar fjalë që të mos flije në shtëpi ato ditë”, më thotë. I them se nuk më kishte thënë njeri gjë, se ato ditë kisha fjetur në shtëpi dhe se nuk më kishte ngarë kush.   
Duke qenë një nga njerëzit më pranë atyre që kanë drejtuar dhe po drejtojnë shtetin, përse keni mbetur mënjanë?
Ka qenë zgjedhja ime. Unë u mora edhe pak me zanatin që kisha në Shqipëri dhe shkova në Itali familjarisht. Por edhe nuk kam pasur ndonjë ofertë. Që nga ajo kohë kam bërë punë të ndryshme, por në asnjë moment nuk i jam ndarë artit. Kam bërë filma të mirë, por edhe kam marrë pjesë si aktor në projekte të të tjerëve, të regjisorëve të ndryshëm italianë. Të mbetemi te pyetja. Më 1994 apo 1995, kur Azem Hajdari ishte gjallë, e kam takuar rastësisht në bulevard. Më takoi më përzemërsi dhe më tha: “Je më i nderuari nga të gjithë!”
Si e shikoni gjendjen aktuale të politikës në Shqipëri? 
Ka shumë urrejtje. Ka nevojë për mesazhe paqeje. Ka ende një mentalitet komunist, madje të prapambetur. Janë hapur sërish biografitë, si në kohën e Sigurimit të Shtetit. Kjo është antinjerëzore, e çon Shqipërinë prapa.

Budina, një jetë me filmin
Që nga vitin 1994 Edmond Budina, artisti i njohur nga gjithë shqiptarët, punon në një fabrikë të prodhimit të kaldajave në Viçenca të Italisë. Për të plotësuar nevojat e familjes. Ndërsa nevojat e shpirtit i realizon duke mos hequr dorë nga filmat. Ka luajtur edhe në telefilmin e njohur nga gjithë italianët “Një vend në diell-Un posto al sole”, ka marrë edhe çmimin e cilësisë me filmin e tij “Letra ere” në Itali, krahas Bertoluçit e Ermano Olmit. Ndërsa aktualisht është duke montuar në Itali filmin tjetër të tij “Vallja e flamurëve”, që sjell një mesazh të fortë kundër nacionalizmave të tepruara. Filmi nis me xhirime të bërë në disa zona të Gjirokastrës si në Kosinë, por edhe në Labovë, ku gjendet një kishë e vjetër e ndërtuar nga një prej perandorëve të Bizantit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›