E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopshtet e çerdhet në krizë për higjienën

29/06/2011  Problem lagështira, kushtet në kuzhina e banjo, krevate kolektive prej dërrase, në shumë raste fëmijët flenë në dysheme etj

Gjendja e renduar edhe në godinat e rikonstruktuara. Kopshtet që rrezikojnë mbylljen

Pranvera Kola

Ambientet dhe kushtet në të cilat edukohen të vegjlit në kryeqytet janë për faqe të zezë. Konkretisht bëhet fjalë për kopshtet dhe çerdhet, të cilat paraqesin probleme të rënda sa u takon kushteve higjieno-sanitare, duke vënë kështu dhe në rrezik shëndetin e të vegjëlve. Kontrollet e kryera nga ekspertët e higjienës kanë treguar se pothuajse në të gjitha këto institucione ka mungesa të theksuara, duke filluar nga niveli i lartë i lagështirës, rënia e suvave, krevatet kolektive prej dërrase, si dhe rastet e vendosjes së dyshekëve në dysheme për të fjetur, mungesë të pajisjeve në kuzhinë, veçanërisht të rafteve për të mbajtur ushqimet dhe enët, probleme të lagështirës dhe mungesës së higjienës nëpër banja etj. Shqetësuese situata rezulton të jetë dhe në një sërë kopshtet e çerdhesh, të cilat pas evidentimit të këtyre problemve një vit më parë, iu nënshtruan edhe rikonstruksioneve. Por monitorimi i radhës në këto të fundit ka treguar se puna e bërë është jashtë standardeve të duhura, pasi problemet, e sidomos lagështira, mbeten në nivele të larta. “Disa nga këto probleme, veçanërisht ato që i janë nënshtruar një rikonstruksioni, vihet re që në blloqet e kuzhinave nuk plotësojnë asnjë standard higjieno-sanitar. Për shumë institucione këto i kemi bërë të ditura dhe herë të tjera, por që nuk janë marrë masat për ndryshimin e gjendjes. Po ashtu ka mangësi dhe defekte të shumta në bazën materiale të kuzhinave pothuajse në të gjitha çerdhet dhe kopshtet”, pohohet nga inspektorja e higjienës Besa Shehu. Sipas saj, në një numër të madh kopshtet amortizimi i përgjithshëm ka arritur në atë nivel, sa ky sektor ka bërë shkresat përkatëse me vendimet për mbylljen e tyre. Ndër më shqetësueset dhe që nevojitet mbyllja, gjendja paraqitet në çerdhen nr 11, kopshtet nr 3, 29, 35, 40, 17, dhe 24, 9. Shehu sqaron se për arritjen në vendim mbylljeje, krahas kontrollit higjieno-sanitar të herëpashershëm, në bashkëpunim dhe me laboratorin toksikologjik të institucionit tonë janë kryer edhe matjet për indekset lagështirë, temperaturë, korrente ajri dhe ndriçimi. Nga analizat ka rezultuar se vlerat e këtyre indekseve, veçanërisht lagështira, janë mbi normat e lejuara. Po ashtu një tjetër problem i konstatuar në disa çerdhe dhe kopshte është mënyra e fjetjes së fëmijëve. Jo të gjitha kopshtet kanë krevate dhe dyshekë të rregullt, një pjesë e tyre kanë krevate tip barele pa dyshekë dhe jastëkë ose vendosin dyshekun në dysheme, që pas fjetjes i grumbullojnë stivë. “Kjo nuk është aspak higjienike, pasi mundësia e kryqëzimit të infeksioneve është mjaft e lartë, por edhe pjesa e edukimit të fëmijëve është e cenuar”, theksohet në raport. Sipas Shehut, për të gjitha këto raste është kërkuar marrja e masave për përmirësimin e gjendjes, nëpërmjet procesverbaleve përkatëse, në mënyrë të tillë që në nisje të shtatorit të jenë të gatshme për të pritur fëmijët. Këtë vit theksohet nga higjiena se masat do të jenë më të rrepta dhe se nuk do të tolerohen punimet pa cilësi, siç ka ndodhur në shumë prej tyre gjatë vitit që lamë pas.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›