E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet në arën e tij 40-vjeçari, dyshohet nga disa hajdutë

27/06/2011  Ridvan Begoi u gjet në mëngjes i vdekur. Pista, zuri grabitësit, mungojnë 20 metra tel elektrik

SHKODER- Një shtetas nga fshatrat e Shkodrës është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta jo shumë larg banesës së tij. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës në fshatin Shtoj i vjetër i komunës Rrethina, të rrethit të Shkodrës, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është gjetur rreth orës 06:00 të mëngjesit. Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për shtetasin 40-vjeçar Ridvan Begoi, baba i dy fëmijëve, i cili mendohet të jetë ekzekutuar nga hajdutë të armatosur. Të njëjtat burime policore shprehen se me të marrë njoftimin për vrasjen e shtetasit Begoi, blutë dhe grupi hetimor kanë rrethuar vendin e ngjarjes, kanë marrë në pyetje një numër të madh personash të zonës për të arritur në identifikimin e autorëve.

Vrasja

Shtetasi Begoi u gjet i vrarë me një plumb në kokë, rreth 100 metra nga banesa e tij, në arën që e kishte mbjellë me patate. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetimor i policisë nuk arriti të gjente asnjë gëzhojë arme. Sipas policisë, vrasja duhet të jetë bërë nga profesionistë, pasi e kanë qëlluar nga afër në kokë me pistoletë dhe, duke ruajtur qetësinë, nuk janë larguar nga vendi i ngjarjes pa zhdukur gjurmën e gëzhojës. Ndërkohë është konstatuar se tokën e shtetasit Begoi mungonte një kabull elektrik, rreth 200 metër i gjatë që shërbente për ndriçimin e arës. Burimet shprehen se deri tani pista e vetme mendohet ajo e vrasjes në konflikt e sipër të personit apo personave që kanë qenë duke vjedhur kabllon elektrik. Shtetasi Begoi duhet të ketë dëgjuar zhurma në arën e tij dhe ka dalë për të parë se kush kishte hyrë. Mendohet se hajdutët e kapur në befasi duke vjedhur kabullin elektrik e kanë qëlluar për vdekje pronarin e arës, shtetasin Ridvan Begoi. Deri tani kjo është e vetmja pistë në të cilën po operon grupi hetimor i policisë, pasi familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kishin pasur asnjëherë asnjë konflikt me asnjë person. Të njëjtat burime shprehen se mendohet që autorë të ngjarjes janë banorë të të njëjtit fshat me viktimën, ose të fshatrave përreth fshatit Shtoji vjetër, ku ndodhi ngjarja ndaj po punohet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›