E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi, zbulohen investimet në hotele e bare të Ali Evsen

29/06/2011  Verifikim bilanceve të kompanive dhe bashkëpunimi me autoritete spanjolle e turke

TIRANE-Biznesmeni turk, Ali Evsen, gjatë këtyre viteve ka investuar shuma të mëdha financiare në sektorin e hoteleri-turizmit, duke ndërtuar restorante dhe hotele luksoze në disa qytete të vendit. Zbulimi është bërë pas verifikimeve të kryera nga njësia hetimore Task-Forcë, e cila prej një jave ka filluar hetimet për pastrimin e parave, duke ngrirë në total rreth 190 mijë euro dhe disa pasuri kapitale të biznesmenit që tashmë është arrestuar nga shteti spanjoll. Nga përgjigjet e ardhura nga QKR-ja dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive është konstatuar se këto pasuri ndodhen kryesisht në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit. Prokuroria nuk pranoi të japë emrat e këtyre bizneseve, por sqaroi se ato nuk ndodhen vetëm në emër të biznesmenit turk, pasi në regjistrin elektronik të QKR janë evidentuar edhe disa individë të tjerë që ekzistojnë si aksionerë të këtyre bizneseve. Prokuroria shtoi se ekzistojnë dyshimet se nëpërmjet këtyre bizneseve janë kryer transferta të konsiderueshme në euro, dhe se momentalisht po heton bilancet financiare të këtyre kompanive. Nëse nga hetimet nuk përputhen shifrat, atëherë do të fillojë menjëherë procedimi penal për pastrim parash ndaj këtyre bizneseve. Momentalisht organi i akuzës së kryeqytetit është duke kryer të gjitha veprimet hetimore dhe verifikimet financiare, nga ku pritet të mësohet lidhur me shumat e transaksioneve të kryera nga Turqia në Shqipëri, anasjelltas si dhe në drejtim të Spanjës. Ka shumë mundësi që këto veprime hetimore të kryhen në bashkëpunim edhe me hetuesit spanjollë dhe turq, për të mësuar burimin e shumave të mëdha financiare, si dhe destinacionin përfundimtar të tyre. Bashkëpunimi mes këtyre shteteve, pritet të sjellë dërgimin e letërporosive në Turqi dhe Spanjë për të marrë më shumë informacione lidhur me veprimtarinë kriminale të biznesmenit turk Ali Evsen. Ndërkohë që për sa i përket interesimit të autoriteteve spanjolle dhe atyre turke mbi këtë çështje, burimet shtuan se deri në këtë periudhë ende si ka ardhur asnjë kërkesë për informacion. Burimet theksuan se interes për dosjen momentalisht ka shfaqur vetëm zyra ndërkombëtare e INTERPOL-it, e cila duket se u ka kërkuar autoriteteve shqiptare informacione lidhur me listën e pasurive të ngrira.

Ali garant i Salem

49-vjeçari Ali Evsen, së bashku me një biznesmen egjiptian, u arrestuan në Spanjë me akuzën pastrim parash, dhënie ryshfeti dhe korrupsion. Egjiptiani i arrestuar është djali i biznesmenit Hysejn Salem, një nga njerëzit më të afërt të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak. Pas arrestimit, policia spanjolle ka ngrirë llogarinë bankare prej 33 mln eurosh të egjiptianit Salem dhe ka dyshime se biznesmeni turk, Ali Evsen, punonte si garant dhe nëpërmjet kompanive të tij i dërgonte paratë familjes egjiptiane, Salem.

I arrestuari, pronar i 2 bizneseve në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›