E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça ndjen perëndimin e remitancave

Kriza ekonomike greke ka ndikuar ndjeshëm në uljen e depozitave bankare nga emigrantët

Këtë vit, depozitat në euro dhe lekë nga kursimet e emigrantëve pothuajse kanë munguar. Siç konfirmojnë burime zyrtare pranë bankave të ndryshme, ardhja e emigrantëve për pushimet verore nuk ka sjellë si vitet e tjera edhe të ardhurat nga puna në emigracion. Shkaqet lidhen me mbylljen e vendeve të punës në shtetin fqinj dhe faktin se një pjesë e madhe e emigrantëve po mbahen nga asistencat. Kjo ka bërë që kursimet e tyre të punës vjetore, emigrantët t’i shpenzojnë për pushime pa ju drejtuar aspak bankave për derdhjen e depozitave. Ky fenomen është shoqëruar dhe me një numër më të ulët të emigrantëve që po vijnë në vend për këtë sezon veror. Ndryshe nga vitet e tjera, kur në muajt qershor, korrik dhe gusht ka pasur një numër të madh emigrantësh që vijnë nga shteti grek, interesi për të udhëtuar dhe për ardhur në vendin tonë, këtë herë ka qenë më i ulët dhe kjo lidhet më shumë me arsyet ekonomike. Një pjesë e madhe e emigrantëve kanë preferuar të mos kryejnë pushime për të siguruar punë sezonale në mungesë të punësimit të rregullt. Një nga drejtuesit e bankave në Korçë, identiteti i të cilit nuk mund të bëhet i ditur, ka konfirmuar për gazetën “Shqip” se këtë vit ka pasur një numër shumë të ulët të kërkesave nga emigrantëve për të depozituar euro në bankë. “Depozitat nga emigrantët gjatë muajit korrik pothuajse kanë munguar. Kryesisht emigrantët po tentojnë të mos derdhin kursimet edhe për shkak të krizës në shtetin grek. Depozitat kanë qenë shumë të pakta dhe shumat që derdhen në euro gjithashtu nuk kanë qenë të larta krahasuar me vitet e tjera kur kishte më shumë depozita në muajt e verës nga emigrantët, edhe për faktin se kur kanë ardhur në vend me pushime, kanë preferuar të derdhin kursimet në bankat shqiptare. Edhe pse shteti grek, sipas tyre, është në krizë edhe për sa i përket sistemit bankar, nuk ka pasur një transferim të këtyre depozitave për arsye sigurie”, shprehen burime zyrtare. Nga pikat e kalimit kufitar mungon fluksi i lartë në këtë sezon veror. Hyrjet ditore të emigrantëve kanë qenë të pakta dhe nuk i kanë kaluar 1500 persona në ditë, ndërsa në fundjavë ka më shumë lëvizje deri në 3200 persona të regjistruar në kufi.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›