Ndërtuesi, telefoni tradhtoi Velikon
Kriza ekonomike që ka mbërritur në Shqipëri, nuk pa prekur vetëm qeverinë dhe bizneset, por edhe trafikantët e drogës. Operacioni më i fundit i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e pesë personave që kryenin trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë, ka zbuluar se kreu i këtij rrjeti, Arben Veliko, ka folur lirisht në telefon me bashkëpunëtorët e tij, duke i bërë me dije se ishte prekur nga kriza ekonomike dhe i duheshin patjetër të holla. Ai i ka kërkuar grupit se do të rriskonte dhe do të rivinte në punë linjën e trafikut, pasi biznesi nuk i kishte ecur mirë.
Përgjimet e prokurorisë kanë zbuluar të gjithë aktivitetin e dyshimtë të Velikos, i cili mendohet se ka qenë në përgjim që nga viti 2005 në vendin tonë, kohë kur edhe u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Fierit, por më vonë u lirua në rrethana misterioze. Megjithëse kishte mjaft dyshime për Velikon, policia dhe Prokuroria e Fierit dhe Vlorës nuk ndërmorën asnjëherë nismën për ndalimin apo shoqërimin e tij. Megjithatë, krejt e kundërta ka ndodhur nga autoritetet e policisë italiane, që e kanë mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë, pasi emri i tij lidhej me disa nga grupet kriminale që vepronin në të dyja shtetet. Në “lojë” është futur edhe zyra e bashkëpunimit policor italian në Tiranë, “Interforca”, e cila e informonte policinë italiane për çdo zhvillim të grupit të Velikos në Itali.
Për një periudhë dyvjeçare, duke filluar nga viti 2008, të arrestuarit janë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim të imtësishëm, ndërsa janë monitoruar të gjitha lëvizjet e tyre drejt shtetit italian, ku dyshohet se trafikonin lëndën narkotike. Operacioni i koduar “Ndërtuesi” vuri në pranga Arben Velikon, Latimir Hoxhën, Panajot Dhiamandin, Sokol Kashtën dhe Orges Jahelezin. Prokuroria thotë se ka dokumentuar vetëm një rast të trafikut të drogës, ku grupi i kryesuar nga Arben Veliko ka dërguar në shtetin italian rreth 12 kilogramë heroinë. Me ndihmën e ndërmjetësit Orges Jahelezi, lënda narkotike i është dorëzuar një shtetasi italian. Ky i fundit, pas verifikimeve të sasisë së mallit, nuk e ka pranuar, pasi ishte i një cilësie shumë të keqe. Veliko ka urdhëruar dy korrierët, Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari, për të rimarrë lëndën narkotike dhe sapo e morën në dorë, policia italiane i arrestoi në flagrancë. Ndalimi i tyre është kryer në vitin 2008, ndërsa gjatë kësaj kohe policia italiane dhe ajo shqiptare kanë punuar për identifikimin e grupit kriminal, i cili rezultoi se kishte lidhje të forta edhe me biznesin e ndërtimit në Shqipëri.
Ndërkohë, hetimet për të arrestuarit e operacionit të koduar “Ndërtuesi” po përqendrohen kryesisht te pasuria, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar bankave të nivelit të dytë dhe hipotekave në të gjithë Shqipërinë kërkesa për evidentimin e pasurive dhe llogarive bankare që figurojnë në emër të pesë biznesmenëve. Informacionet e para që kanë mbërritur në zyrën e akuzës kanë qenë për shtetasin Arben Veliko, i konsideruar nga grupi hetimor si kreu i këtij rrjeti të trafikut të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë. Veliko, i njohur në qytetin e Vlorës si biznesmen, ka në zotërim dy pallate, një vilë dhe një hotel luksoz në breg të detit Jon, në periferi të qytetit. Pas verifikimeve të para, prokuroria do t’u kërkojë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme që ky kapital të mos tjetërsohet deri në një vendim gjyqësor. Burime pranë grupit hetimor deklarojnë se do hetojnë në lidhje me origjinën e shumave financiare që janë përdorur për blerje trualli dhe materialeve të ndërtimit. Akuza do të kërkojë nga i arrestuari, por edhe nga familjarët e tij, dokumente që hedhin dritë për mënyrën e financimit të këtyre pronave, pasi paraprakisht hetuesit dyshojnë se pallatet, vila dhe hoteli janë ngritur me paratë e drogës.
#