Korça në atmosferë karnavalesh
Qyteti i Korçës është veshur me petkun e karnavaleve duke çelur njëherësh sezonin turistik me një mori grupesh të zhurmshme që kanë performuar nën ritmet e muzikës e kanë rikrijuar fabulat groteske. Një paradë spektakolare kostumesh dhe ngjyrash ka rikthyer këtë vit karnavalet e Korçës në festivalin me përmasa ndërkombëtare. Të paktën 35 grupe nga vendi dhe bota kanë pushtuar sheshin qendror dhe bulevardin kryesor të qytetit për këtë festë të madhe me maska, kostume dhe fabula të larmishme. Mbi 3000 pjesëmarrës janë bërë pjesë e paradës së madhe të këtij festivali ndërkombëtar, ku nuk kanë munguar personazhet interesante, tradita kulinare, ushtarët e vegjël me shpata, këndezët, pulat dhe kafshët me këmborë të Polenës, që janë pjesë e kësaj feste të vjetër pagane. Një karvan tepër i gjatë që është shtrirë përgjatë gjithë bulevardit kryesor deri në qendër të qytetit ka shtuar zhurmën e aktorëve që kanë performuar nën veshjet e karnavaleve. Karnavalin tradicional dhe atë modern e ka bashkuar ceremonia madhështore e mijëra pjesëmarrëseve, që për tre orë rresht kanë shfaqur publikisht fabula nga më të bukurat, ku ndryshe nga vitet e tjera, u janë bashkuar edhe shumë grupe fëmijësh. Të rinjtë kanë sjellë traditën e dikurshme të Korçës me gra të veshura si burra dhe burrat si gra. Argëtimi, serenatat këmbalkat e shumta e aktorë të cirkut kanë performuar në këtë paradë karnavalesh të sivjetshme. Karnavalet e Korçës njihen jo vetëm si një festë pagane e përvitshme, por edhe si pjesë e traditës së vjetër të këtij qyteti.
#