Kapet arsenal armësh, pranga pronarit të lokalit
Policia e Krujës ka zbuluar një arsenal armësh në fshatin Tapizë. Armët janë gjetur në magazinën e lokalit me pronarë Agron Topalli, i cili është prangosur në kushtet e flagrancës. Mësohet se policia e mbante Topallin nën vëzhgim prej disa muajsh dhe në momentin që ka pasur prova të forta, ka rrethuar lokalin e tij dhe ka ushtruar një kontroll të befasishëm. Sipas burimeve zyrtare mësohet se janë gjetur dhe sekuestruar tre automatikë, 4 kallëpe tritol, 50 detonatorë ndezës, një arkë me granata difensive, një silenciator dhe qindra fishekë. Ndërkohë që janë gjetur dhe një sasi thikash dhe bajonetash. Sipas policisë dyshohet se Topalli i mbante armët për t’i tregtuar, ndërkohë që do jenë hetimet e mëtejshme ato që do zbardhin plotësisht ngjarjen.
#