Korça, një vend i preferuar për turistët e huaj
Rajoni i Korçës njihet për vlerat natyrore dhe ato të trashëgimisë kulturore, gjë e cila ka bërë që ky qytet të vizitohet nga shumë turistë të huaj. Nga zyra rajonale e turizmit në Prefekturën e Korçës bëhet e ditur se nga muaji janar e deri në ditët e para të korrikut, janë regjistruar mbi 8 mijë turistë të huaj si vizitorë të rajonit të Korçës.
E ndërkohë që këtë vit po rritet numri i grupeve të vizitorëve të huaj nga vende të ndryshme europiane si Holanda, Austria, Çekia, Greqia etj. Qëndrimi i tyre zgjat disa ditë, duke u akomoduar si në hotelet private të Korçës e qyteteve të tjera si dhe në banesa private që zhvillojnë turizmin familjar si në Dardhë, Voskopojë, Liqenas dhe Vithkuq. Gjatë vizitave në rajonin e Korçës, turistët tregojnë interes për të vizituar qendrat muzeale si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, ku numërohen 2470 vizitorë, nga të cilët 1360 janë të huaj. Vende të tjera të preferuara për t'u vizituar nga turistët e huaj janë Tuma ilire e Kaminicës, por edhe zonat malore që afrojnë klimën e freskët e të shëndetshme. E ndërkohë që autoritet pohojnë se këtë vit pritet që të ketë një rritje prej 2-4 % të numrit të pushuesve të huaj në krahasim me vitin e kaluar, si rrjedhojë e reklamacionit dhe përmirësimit të infrastrukturës në zonat turistike, rritjes së kulturës së shërbimit etj.