E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirika epike e labërisë vjen në vepra arti

Punimet me tematikë folklorike në qeramikë, bronz, bakër, gur dhe grafikë u prezantuan në ekspozitën personale të skulptorit vlonjat, Zeqir Alizoti, e cila u çel në hollin e teatrit Petro Marko në qytetin e Vlorës. Në 85 punimet e paraqitura në këtë ekspozitë përfaqësohen realizimet më të mira të skulptorit Zeqir Alizoti, në dy vitet e fundit. Mes tyre, spikat busti e një banori të krahinës së Labërisë. Qylafi i bardhë, i vendosur në një kokën e skalitur me mjeshtëri, ku spikasin mustaqet e përdredhura, karakteristike të burrave të kësaj zone, çibuku që qëndron në pjesën e djathtë të buzëve, vështrimi i fortë, format e forta të fytyrës së rreshkur, duket sikur sjellin përpara vizitorëve një copë shkëmbi nga Labëria e ashpër. Shqiponja, simboli i kombit tonë, e konceptuar në imagjinatën e Alizotit vjen si koka e një vajze me një vragë që përshkon fytyrën. Nënë Tereza, e realizuar në bronz, është një nga punimet më të dashura, të Alizotit. Në fakt, modeli i ekspozuar, është një imitim, i një tjetër punimi të realizuar dhe paraqitur prej tij në një konkurs kombëtar ku ai u vlerësua me çmim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›