Korçë, "Festa e Birrës" afron dhe turistët e huaj
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Festa e "Birra Korça" ka vazhduar edhe më e gëzueshme dhe më e bukur në natën e dytë. Në qytetin e vendlindjes së saj ishin shtuar miqtë e ardhur jo vetëm nga qytete të tjera, por edhe turistë të huaj që janë duke zhvilluar turne në vendin tonë. Këtë e kanë pohuar organizatorët, por edhe mijëra pjesëmarrës që duke pasur kënaqësinë e natës së parë kishin ardhur sërish për të jetuar me mrekullinë që iu rezervoi Festa e Birrës një natë më parë.
***
Sipas organizatorëve natën e parë pjesëmarrja në festë shënoi një pjesëmarrje me mbi 15 mijë vetë, ndërsa mbrëmë kjo shifër u rrit edhe më tepër. Po edhe përgatitjet për natën e dytë të Festës, siç kanë bërë të ditur organizatorët ishin më të mëdha. Duke pasur parasysh që para pikave që tregtonin meze një natë më parë kishte radhë të gjatë të blerësve, dje u morën masa që të shtoheshin të tjera pika shitjeje të tyre dhe të birrave. E megjithatë radha nuk u shmang për faktin se edhe pjesëmarrja ishte rritur ndjeshëm. Mijëra vetë kishin mbushur sheshin para Pallatit të Sportit "Tamara Nikolla", por edhe të lulishtes në të dyja krahët e tij e deri një pjesë të Parkut "Rinia". Është për t'u shënuar fakti se mbrëmë krahas shtimit të banorëve nga qyteti në mënyrë masive kishin ardhur edhe banorë të fshatrave rreth këtij qyteti. Këtë e dëshmonte parkimi i qindra mjeteve të udhëtimit në bulevardin rreth e rrotull stadiumit "Skënderbeu" dhe të gjithë me dëshirën e mirë të shijonin "Birra Korça" në ditën e festës së saj. Në një tavolinë të mbushur plot me gota birre të pira dhe të mbushura plot, takuam një grup miqsh që kishin ardhur nga fshati Dishnicë. Soto Kotelli duke shprehur hapur kënaqësinë që i krijonte birra e ftohtë dje në mbrëmje u shpreh: "Edhe aty në fshat e pimë "Birra Korça", por sonte erdhëm ta shijojmë këtu. Mua më pëlqen sepse pi sa të dua dhe nuk më krijon asnjë shqetësim në organizëm. E ndjej që ka pak alkool, më shijon ajo era e mirë e elbit dhe më kujton shijen e birrës që pija kur isha i vogël. Pastaj këtu me meze të shijshme dhe me koncert të bukur artistik gjithçka bëhet edhe më e gëzueshme". Ndërsa bashkëfshatari i tij i entuziazmuar u shpreh: "Pse nuk organizojnë festa të tilla edhe nëpër fshatra, të na vijnë të paktën një herë në vit e të na kënaqin, se kemi nevojë edhe të çlodhemi".
***
Lajmi se në Korçë zhvillohej "Festa e Birrës" ishte i njohur edhe për agjencitë turistike të qyteteve të ndryshme të vendit, gjë që u përcoll në kohë për turistët që janë duke vizituar vendin. Kjo bëri që ata të udhëtojnë drejt Korçës me dëshirën për të marrë pjesë në të. "Festa e Birrës" nuk është e panjohur për turistët e huaj, mbasi një festë e tillë gëzohet edhe në shumë vende të tjera. Po ishte kërshëria për të parë se si e festojnë shqiptarët këtë festë që i tërhoqi drejt Korçës. Ndër ta kishte grekë, francezë apo amerikanë të "Korpusit të Paqes". Aleksi Dhimitrius, turist grek pohon se ka ardhur enkas nga Kozani për të festuar. "Nuk u ndjemë të huaj, pasi me ne u bashkuan edhe ca korçarë që jetojnë e punojnë në Greqi dhe po kalojnë pushimet në vendlindje. Të them të drejtën e teprova ca në pije, pimë nga ajo birra që prodhohet këtu në Korçë", pohon ai. Miqtë nga Greqia shprehën kënaqësinë e tyre edhe për koncertin artistik që iu ofrua pjesëmarrësve në festë. Gjatë festës ata kishin parë se shumë shqiptarë këndonin dhe kërcenin edhe këngë greke. Më të kursyer në fjalë ishin turistët francezë, të cilët një natë më parë kishin qenë në festën e birrës. Në festë kanë marrë pjesë dhe shumë turistë francezë. Anete, një grua 45-vjeçare, tregon se shijen e "Birra Korça" e ka ndjerë dhe gjatë një panairi në Gjermani, ku kjo birrë ishte e pranishme. Një pjesë e turistëve të huaj dje vazhduan udhëtimet e programuara nga Agjencitë e Turizmit, por pati edhe disa që zgjodhën të qëndronin edhe një ditë tjetër enkas për të marrë pjesë në Festën e Birrës.
Shën Mëria, policia masa për sigurinë në rrugë
SARANDE - Disa fshatra të Sarandës e Delvinës organizojnë më 15 gusht festime të mëdha për Shën Mërinë. Ky rast është vlerësuar në mënyrë të posaçme edhe nga komisariatet e policisë në këto qytete, me synimin për t'u dhënë siguri pjesëmarrësve se ata mund të udhëtojnë në normalitet të plotë drejt këtyre qendrave. Sipas policisë, në funksion të normalitetit të festimeve të 15 gushtit është ndërtuar dhe po zbatohen një plan masash sigurie. Ky plan nis nga mbajtja në kontroll e trafikut në segmentet rrugorë që lidhin me fshatrat Kostar, Dhivër, Çukë, Kakome e Senicë. Gjithashtu do të funksionojnë disa grupe të policisë rrugore, të rendit dhe grupe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Shërbimet e kombinuara policore do të jenë të pranishme në Kostar, në Dhivër, në Çukë e Senicë, por me përparësi për të siguruar rend e qetësi në Kakome. sh.d