E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët sfidojnë Prishtinën, zgjedhje në fundjavë

 

Serbët që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës kanë hedhur një tjetër sfidë për autoritetet në Prishtinë, duke shpërfillur thirrjet e tyre por pjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe duke organizuar nëpërmjet strukturave paralele zgjedhjet e tyre. Zgjedhjet serbe, që janë paralajmëruar të mbahen këtë fundjavë në Kosovë, nuk do të pengohen nga institucionet kosovare. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se mbajtja e tyre forcon strukturat paralele serbe. Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk do të ndërmarrin asgjë për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve serbe këtë të diel në Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës, të cilat, nën organizimin e Qeverisë së Serbisë, po mbahen sërish për shkak të parregullsive në këto dy qendra votimi gjatë zgjedhjeve të kaluara. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se ato janë një mjet tjetër në vazhdën e politikës së Beogradit karshi qytetarëve serbë të Kosovës, por thekson se nuk do të ndërhyhet në zhvillimin e tyre në dy komuna, për shkak të stabilitetit në vend. “Fakti që këto zgjedhje nuk pranohen nga institucionet legale të Kosovës e as ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, i bën tërësisht ato zgjedhje të pavlefshme, ndaj dhe nuk janë marrë veprime, të cilat në çfarëdo forme mund të krijonin tensione të panevojshme”, tha Beqiri. (Evropa e lirë)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›