Pranga ish-policit të kërkuar për vrasje
TIRANE - Arrestohet në aeroportin e Rinasit ish-polici që kërkohej prej 12 vitesh për vrasje. Romeo Koçi, 39 vjeç, dikur punonjës policie i Drejtorisë së Policisë së Vlorës, me emrin Rasim Dervishaj, është prangosur nga oficerët e Komisariatit të Rinasit, sapo ka shkelur tokën shqiptare. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, thanë se ishin njoftuar paraprakisht nga autoritetet angleze, të cilat kanë shpjeguar se po depërtonin një person, të cilit i kishin gjetur parregullsi në dokumentacione. Sapo ka nisur verifikimi i pasaportës së tij, me një identitet të rremë, Romeo Koçi, 39-vjeçari nga Vlora ka dalë zbuluar para oficerëve të policisë. Menjëherë ai është identifikuar si Rasim Dervishaj, person i kërkuar prej 12 vitesh për vrasje, madje me një dënim të dhënë në mungesë nga Gjykata e Vlorës, me 15 vjet burg. Arrestimi tij është kryer në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes dhe më pas i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do t'i caktohet vendi i vuajtjes së dënimit. Ngjarja për të cilën akuzohet Romeo Koçi, i cili mban edhe identitetin Rasim Dervishaj, ka ndodhur më 20 nëntor të vitit 1997, në Vlorë. Atëherë Koçi, gjatë një konflikti të çastit qëlloi për vdekje Zef Gjacin. Prej asaj kohe ai qëndroi i fshehur. e.d