Krujë, arrestohet një kryeplak, nuk denoncoi kanabisin e mbjellë
KRUJE - Policia e Krujës ka arrestuar kryeplakun e fshatit Mafsheq, Kadri Karaj, pasi në fshatin e tij ka gjetur parcela të mbjella me kanabis sativa. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, dje në orët e para të mëngjesit në fshatin Mafsheq dhe Shqezë të Malësisë së Krujës, janë gjetur dhe asgjësuar rreth 4293 rrënjë bimësh të dyshuara si të llojit kanabis sativa. Për këtë gjetje të padenoncuar nga fshati, pasi edhe mbjellja është bërë në parcela pa zot, në mes të pyllit, policia ka arrestuar kryeplakun Kadri Karaj, 49 vjeç, nën akuzën e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" si dhe të "moskallëzimit të krimit". Shuma e bimëve të gjetura dhe të asgjësuara në Krujë arrin në rreth 20 mijë rrënjë gjithsej. Fillimisht bimët narkotike janë gjetur në Nikël të Krujës për të vazhduar në fshatrat Cudhi dhe Mafsheq. Deri tani të gjitha parcelat janë pa akte pronësie të ndonjë banori të zonës. Pak ditë më parë, në Përmet u arrestua një kryekomunar dhe një kryeplak, pasi nuk kishin njoftuar për praninë e bimëve narkotike në zonën ku jetonin. Ata u lanë për hetim në gjendje të lirë pas vlerësimit të masës së sigurisë ndaj tyre. r.n