E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qipro, kërkohet "koka" e Anastasiadis

 

Angelos Anastasiadis është në telashe. Pas humbjes turpëruese 6-1 me Shqipërinë në Qemal Stafa" trajneri i kombëtares qipriote është bërë shënjestër e mediave vendase dhe tifozëve të cilët kanë kërkuar shkarkimin e tij. Sipas uebsajtit të njohur sportiv Protathlima.com. cy tekniku ka marrë për-gjegjësitë për humbjen dhe do ti duhet të japë llogari në një mbledhje që do të organizohet këtë fund-javë mes stafit teknik dhe drejtuesve të Federatës Qipriote të Futbollit. Ndërkohë kjo media raporton gjithashtu se pas takimit Shqipëri-Qipro, Shefi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Loizidis Harris qëndroi më shumë se dy orë në një mbledhje në aeroportin e Athinës me trajnerin Anastasiadis, ku nuk munguan edhe të bërtiturat mes tyre. Megjithatë në një prononcim një ditë më vonë në radio kombëtare të Qipros Loizidis Harris përgënjeshtroi gjithçka duke pohuar se mes tyre kishte pasur thjesht një diskutim.
Tekniku
Trajneri i njohur grek Angelos Anastasiadis (ka drejtuar më parë, Panathinaikos, Iraklis, PAOK, etj) mori drejtimin e kombëtares qipriote në fillim të 2004-ës. Gjatë kësaj kohe kjo skuadër ka njohur rritje të nivelit të lojës aq sa në ishull filluan të besonin se mund të kualifikoheshin për në evropian. Megjithatë veç 6-1 të pësuar në miqësoren me Shqipërinë, përfaqësuesja e Anastasiadis është munduar po me këtë rezultat nga Sllovakia më 2006-ën por mediat nuk patën qenë asesi kaq kritike sa në rastin e tanishmë. Kjo për faktin se Shqipëria konsiderohet si një skuadër më e dobët jo vetëm se Sllovakia por edhe se Qipro pasi edhe në renditjen e FIFA-ë është disa pozicione poshtë kësaj skuadre. Ndaj humbja ka djegur më shumë për faktin se qipriotët, sipas medieve vendase pretendonin të ishin më mirë se kuqezinjtë.
E ardhmja
Ndërkohë pritet që mbledhja e programuar për këtë fundjavë të sjellë risi në drejtim të Qipros të paktën për kualifikimet e EURO 2012. "Është koha të nisim një proces gradual rinovimi të ekipit tonë kombëtar. Do të shikojmë edhe pikëpamjet e trajnerit dhe ma pas do të marrim vendimin e duhur. Nuk duhet të nxitohemi pasi në gjaknxehtësi e sipër mund edhe të marrim vendime të gabuara ndaj do të gjykojmë dhe studiojmë me gjakftohtësi situatën e krijuar", ka pohuar Loizidis. Nuk është hera e parë që një rezultat negativ ndaj Shqipërisë ka detyruar një federatë që shkarkojë trajnerin e saj. Edhe tri vjet më parë në kohën kur kuqezinjtë i drejtonte Oto Bariç, barazimi në Tiranë dhe në Sofje me Bullgarinë solli largimin e Hristo Stoiçkovit nga kreu i pankinës bullgare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›