E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Goma e shpuar" vë në pranga dy hajdutë makinash

Vodhën katër makina brenda pak ditësh, prangosen dy të rinj nga Fieri. Operacioni i koduar "Goma e shpuar" është finalizuar me arrestimin e dy 18-vjeçarëve: Lajden Hazizi dhe Gazmend Muskaj, të dy banorë të fshatit Kreshpan të Komunës Cakran në Rrethin e Fierit.

Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se ka qenë ora 01:30 e mëngjesit të ditës së martë kur Lajden Hazizi dhe Gazmend Muskaj të dy 18-vjeçarë janë vënë në pranga në kushtet e flagrancës, nga strukturat policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Dy të rinjtë, shokë me njëri-tjetrin janë pikasur prej policisë fierake në rrugën nacionale Ura e Mifolit-Levan dhe pikërisht në vendin e quajtur "Kthesa e Qarrit", në afërsi të fshatit Fitore.

Për të arritur deri në arrestimin e 18-vjeçarëve, që dyshohet se janë autorë të katër vjedhjeve të ndodhura brenda pak ditësh, policisë i është dashur një punë intensive dhe bashkëpunuese dhe me komunitetin. Fillimisht, policia ka nisur hetimet për veprën penale të tentativës së vjedhjes në fshatin Cakran më datë 31 korrik të 3 automjeteve tip "Mercedes Benz" dhe më pas një vjedhje në fshatin Kreshpan të Komunës Cakran të një tjetër automjeti të tipit "Mercedez Benz". Ky automjet u gjet një ditë më vonë në fshatin Adë të Komunës Frakull, disa kilometra larg nga Cakrani. Mësohet se makina e vjedhur është gjetur prej policisë pothuajse "e zhveshur" nga pjesët kryesore, të cilat sipas policisë janë shitur prej autorëve.

Pasi ka dokumentuar dhe kanë identifikuar autorët e këtyre veprave penale, policia është vënë në ndjekje të tyre dhe në bazë të informacioneve të marra ka ideuar dhe organizuar operacionin e koduar "Goma e Shpuar" dhe ka zënë pritë në Urën e Mifolit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›