Sarandë, shkulin shtyllën e tensionit për shitje skrapi
Një ngjarje e rrallë për rajonin e Sarandës, ka ndodhur gjatë natës së të premtes, pranë fshatit Cukë. Disa persona, në kushtet e fshehtësisë së plotë kanë shkulur një shtyllë të tensionit të lartë dhe nga askush nuk janë diktuar apo shqetësuar për këtë veprim të rrallë në llojin e vet. Shtylla e tensionit të lartë ishte e vendosur në përbërje të rrjetit në afërsi të përforcuesit të Radiostacionit të Cukës.
Mungesa e shtyllës rreth 10 m të lartë është ndjerë në momentin, kur është ndërprerë rryma elektrike në gjithë zonën rreth Cukës, Alikos, Livadhjasë e mjaft fshatrave të mbetura pa energji elektrike. Drejtori i OSSH Sarandë, Arben Kasapi e ka denoncuar ngjarjen ne Komisariatin e Policisë dhe menjëherë kanë nisur veprimet hetimore për gjetjen e autorëve. Shtylla e vjedhur, sipas Kaspit ka qeënë e fundit e kësaj linje. Me rënien e shtyllës në tokë menjëherë ka rënë kotaktori i linjës, duke e ndërprerë rrymën në rrjet dhe duke hequr mundësinë e çdo rreziku dhe incidenti me përmasa të dhimbshme. Për rreth tre orë, gjithë rajoni ka mbetur pa energji elektrike, deri sa është gjetur mundësia e lidhjes indirekte të linjës. Nga burimet policore bëhet e ditur se shkulja e shtyllës është bërë me vinç dhe po me këtë mjet ajo është tërhequr nga vendi i vendosjes. Qëllimi i shkuljes së shtyllës së hekurt, sipas këtyre burimeve është bërë për ta zmontuar në elementë metalikë e për ta shitur për skrap në kombinatin metalurgjik. Sasia e madhe e hekurit në shtyllë ka nxitur grabitësit për ta vjedhur atë, nga e cila do të përfitojnë një shumë të mirë nëse do të arrijnë ta shesin.