E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryefamiljari masakron gruan dhe të bijën pas vendimit te Gjykates



Krimi i rëndë brenda familjes ka ndodhur në qytetin e Durrësit, pasi një burrë ka sulmuar të shoqen me synimin për ta vrarë dhe, i hasur në pengesa, ka plagosur edhe të bijën. Ngjarja ka ndodhur në orën 03:45 të mëngjesit të ditës së djeshme në Lagjen Nr. 3 të qytetit bregdetar. Sotiraq Kurila, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 3 Durrës, gjendej në banesën e tij në orën 03:45 të mëngjesit, kur në rrethana ende të paqarta, sipas policisë, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten 46-vjeçare, Aleksandra Kurila. Por, gjatë konfliktit, në momentet kur Sotiraqi po përpiqej t’i merrte jetën së shoqes, skena është parë nga e bija 15-vjeçare, Kristina Kurila. E tmerruar nga pamja dhe duke sjellë ndër mend faktin se dhunohej shpesh nga i ati, adoleshentja është sulur të mbrojë të ëmën. Por afrimi i saj ishte dramatik sepse i ati nuk e kurseu as atë, duke e masakruar me thikë në trup, ndërsa vajza përpiqej të mbronte të ëmën nga një vdekje e mundshme.
Ngjarja
Në këtë ngjarje, nënë e bijë mbetën të plagosura rëndë si pasojë e goditjeve të pakursyera me thikë që morën nga Sotiraq Kurila. Por edhe ky i fundit nuk ka dalë “pa gjë”. Në konflikt e sipër, Sotiraqi është plagosur në kokë, kur është goditur me një mjet të fortë, me sa duket nga e bija, në kushtet e vetëmbrojtjes. Që të tre u dërguan në Spitalin rajonal të Durrësit ku po i nënshtrohen ndërhyrjes mjekësore, por burri dhe babai i dhunshëm po mbahet nën mbikëqyrje policore. Për shkak se Sotiraq Kurila, në mënyrë të vazhdueshme ushtronte dhunë në familje, ndaj gruas së tij, por duke mos kursyer as dy vajzat e tyre, ishte krijuar një dosje hetimore edhe në policinë e Durrësit. Kjo e fundit, para pak kohësh ia kaloi materialet Gjykatës së Rrethit Durrës dhe ajo, më 11 gusht 2009, me Vendim Nr. 178 ka nxjerrë urdhër të menjëhershëm të mbrojtjes, që i jepte 46-vjeçares Aleksandra Kurila të drejtën për të jetuar me dy vajzat në shtëpinë e tij, me argumentin se Sotiraq Kurila në vazhdimësi ushtronte dhunë në familje. Shërbimet e Policisë së Durrësit, po në të njëjtën datë, kanë ekzekutuar shpalljen e Gjykatës, duke ia bërë me dije vendimin Sotiraq Kurilës. Kjo gjë nuk është mirëpritur nga Sotiraqi, i cili, “i tërbuar” nga fakti se në banesën e tij duhet të jetonin e shoqja me dy vajzat dhe ai duhet t’u rrinte larg, në orën 03:45 të ditës së djeshme ka shkuar në shtëpinë e tij dhe pasi ka hyrë brenda, ka kërcënuar dhe ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten, duke thyer kështu dhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Durrës.
Mbrojtja
Duket se masat që ka ndërmarrë policia e Durrësit nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndalur planin e autorit për të arritur qëllimin e tij. Duket se ndonëse në dijeni të sherreve dhe situatës së vështirë në familjen Kurila, policia nuk e kishte imagjinuar se autori Sotiraq Kurila do të shkonte kaq larg sa të tentonte të vriste të shoqen. Fatmirësisht ndërhyrja e së bijës për ta shmangur një gjë të tillë ka sjellë veçse plagosjen e nënës dhe të së bijës, ndërsa mbi Sotiraq Kurilën pritet të veprojë forca e ligjit. Tashmë Sotiraq Kurila rrezikon nga 5 deri në 12 vite burg për shkak se ka tentuar të vrasë në rrethana cilësuese familjarët e vet dhe se ka shkelur urdhrin e Gjykatës që e detyronte atë t’u qëndronte larg familjarëve të vet për shkak të dhunës që ai kishte ushtruar për vite me radhë.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›