E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hije skandali në Laç, u falsifikuan dokumentet e ndihmës shëndetësore



Të paktën 57 dosje të personave që trajtohen me asistencë sociale janë zhdukur nga Zyra e Punës në Laç. Skandalin e bëjnë publik ish-punonjës që rezultojnë të jenë trajtuar njëkohësisht me ndihmë ekonomike, si dhe të kenë marrë nga sigurimet sociale pagesën për lejen e lindjes. Ato pohojnë se njërën nga pagat nuk e kanë firmosur vetë duke denoncuar kështu një vjedhje. Edhe pse auditi i Ministrisë së Punës së zhvilluar pak kohë më parë ka dokumentuar shkeljet ligjore, deri tani nuk janë gjetur përvetësuesit e paligjshëm të parave nga arka e shtetit. “Kam mbaruar lejen e lindjes dhe kam ardhur të marr asistencën për lejen e lindjes, por më thonë se e kam tërhequr, ndërkohë që kjo është e pamundur”, - është shprehur Albana Preka. Ndërsa Vera Ndoci, tjetër viktimë e këtij skandali, ka theksuar se “paratë janë marrë, por firma ime nuk është”. Ndërkohë që drejtoresha aktuale e Zyrës së Punës, Davita Jushi, nuk ka pranuar të prononcohet, duke theksuar faktin se në kohën e shkeljeve të gjetura nga kontrolli i auditit, nuk ka qenë ajo e punësuar në këtë institucion. Ndërsa është shprehur se Zyra e Punës po bën të gjitha përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë ish-punonjëseve konform ligjit. Falsifikimet me ndihmën shtetërore, asistencën dhe pensionet duket se në Shqipëri janë kryer në një masë të gjerë. Vetëm tre muaj më parë ish-drejtori i Minierës së Mushqetasë në fshatin me të njëjtin emër parën Tiranës do të përballet në gjyq me akuzat e prokurorisë për abuzime me detyrën. Prokuroria përfundoi hetimet ndaj ish-drejtorit të Minierës së Qymyrgurit në fshatin Mushqeta të Tiranës, ndërsa Ylli Shaba dyshohet se ka abuzuar lidhur me pensionet e dhëna për persona që nuk kishin punuar në minierë në periudhën kohore (2002- 2005) kur, ai mbante funksionin e drejtorit të Minierës së Mushqetasë. Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Task-Forcën dhe Sektorin e Antikrimit Ekonomik arrestuan më 3 mars 2009 ish-drejtorin e Minierës së Mushqetasë në Tiranë, Ylli Shaba. 49-vjeçari, i cili gjatë viteve 2003-2005 ka qenë drejtor i Minierës, ka rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. rezultatet e para, që i përkasin kryeqytetit. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, bëri publike gati një vit më parë dosjet me të cilat mendohet se kanë abuzuar qytetarë të ndryshëm, duke kryer një sërë shkeljesh. Prej më shumë se një viti, një nga prioritetet e ISSH-së ka qenë pastrimi i skemës nga përfitimet e padrejta. Gjatë verifikimeve janë konstatuar shkelje në dosjet e pensioneve në korrigjime të periudhave në regjistrat themeltarë (data, muaji, viti).

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›