E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, arkitektët kundër restaurimit të Pazarit

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Punimet për restaurimin e pazarit të vjetër të Korçës janë pezulluar prej dy ditësh nga bashkia. Shkak është bërë përplasja ligjore ndërmjet këtij institucioni dhe Drejtorisë së Ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore. Kryeinspektori i Inspektoratit të Ndërtimit dhe Urbanistikës pranë Bashkisë së Korçës, Artur Qeramixhi, i cili ka lëshuar edhe urdhrin e pezullimit, bëri të ditur dje motivin e këtij vendimi. Sipas tij, shkak është bërë mungesa e dokumentacionit të plotë për kryerjen e ndërtimeve nga firma “Smagina”. Kjo firmë është pezulluar për një afat prej 60 ditësh, derisa të plotësojë dokumentacionin dhe të marrë lejen e ndërtimit në bashki. Por burime në Bashkinë e Korçës bënë të ditur dje se shkak i pezullimit të punimeve është bërë edhe cilësia restauruese e pazarit. Ky pazar është nga më të vjetrit dhe me vlera kulturore unike dhe të hershme në trevën e Ballkanit. Arkitekti Ilir Voci, i cili është edhe anëtar i KRRT-së së bashkisë, ka bërë kritika të ashpra për cilësinë e restaurimit. “Firma që po punon për restaurimin e pazarit, po dëmton rëndë të gjithë aspektet e restaurimit. Restaurimi i një ndërtese fillon nga ndërtimi i çatisë dhe më pas suvatimi i fasadave, duke iu qëndruar besnik zbukurimeve origjinale. Suvatë e reja po rrafshojnë kornizat në krye të mureve anësorë dhe zbukurimet e saj që me art e hijeshi të rrallë ndajnë suvatë anësore të katit të parë nga ato të të dytit. Në disa ndërtesa gurët e gdhendur të portikëve apo dritareve janë mbuluar me suva e lyer me bojëra. Restaurim do të thotë kthim në identitet, jo suva të drejta siç ju vjen më mbarë ndërtuesve”, shprehet arkitekti Voci. Qëndrimi i Bashkisë kundërshtohet nga Drejtoria e Ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore. Arkitektja e kësaj drejtorie, Elvira Tuxhari, u shpreh se restaurimi është duke u kryer nën kujdesin e kësaj drejtorie dhe arkitekti i firmës disponon licencë restaurimi. “Prej 30 vjetësh, në këtë pazar nuk është vënë dorë për asnjë lloj restaurimi. Vjet aty u investuan 1.5 milionë lekë dhe sivjet 5 milionë lekë”, u shpreh Tuxhari. Konflikti që ka lindur mes Drejtorisë së Ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore dhe bashkisë së qytetit bazohet mbi një papajtueshmëri ligjore. Drejtoria e mësipërme bazuar në nenin 38 të ligjit 9882 përjashton çdo ndërhyrje të KRRT-së së Bashkisë në zonat e monumenteve të kulturës. Nisur nga kjo, ajo argumenton faktin që firma ndërtuese “Smagina” nuk ka pse të marrë leje ndërtimi në Bashkinë e qytetit. Kjo Drejtori dje i kërkoi firmës të vazhdonte punën edhe pse është pezulluar nga Inspektorati i Bashkisë. Ndërsa bashkia, sipas nenit 48 të ligjit 8405 datë 17.09.’98 “Për urbanistikën”, kërkon që firma ndërtuese të marrë leje ndërtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›