E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, arrestohen vrasësit e pronarit të një magazine



Arrestohen vrasësit e pronarit të magazinës në Pojan të Korçës. Tre të rinj u prangosën mbrëmë nga Policia e Korçës, të akuzuar edhe për grabitje me armë, vjedhje dhe terror në fshatrat e zonës.. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se autorët e arrestuar tashmë janë: Mehmet Ropi, 18 vjeç, Blerim Berberi, 25 vjeç dhe Nerton Felaj, 24 vjeç, të tre banorë të Pojanit dhe Pojan-Korçës. Operacioni për kapjen e tyre, i koduar "Pojan", u zhvillua nga strukturat e hetimit të krimit të Drejtorisë së Policisë së Korçës, në bashkëpunim me komisariatin e rrethit. Gjurmimi dhe hetimi i tyre ka bërë që të gjenden prova që i fajësojnë ata. Sipas policisë, tre të rinjtë akuzohen për vjedhjen me armë, me pasojë vdekjen e 73-vjeçarit Nexhat Gega, ndodhur në fshatin Pojan më 25 mars të këtij viti. Gega, pronar i një magazine druri, i pikasi grabitësit kur hynë brenda saj. Autorët e qëlluan me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen, madje qëlluan edhe disa herë në ajër, në formë presioni për banorët. Ngjarje tjetër që u zbardh nga policia dhe ku tre autorët janë protagonistë, është tentativa e grabitjes së një taksisti në Qafën e Zvezdës, disa ditë para krimit të vrasjes. Po ashtu, zyrtarisht konfirmohet një vjedhje me armë e mbetur në tentativë e shkollës 9-vjeçare Terovë, një vjedhje me thyerje e gurores në fshatin Zvezdë, vjedhja e një servisi në Pojan, si dhe një vjedhje banese në Rrëmbec, po në komunën Pojan. Të tre personat janë identifikuar edhe si prishës të rendit dhe qetësisë publike, pasi qëllonin me armë zjarri nëpër fshatrat e komunës, duke terrorizuar banorët. Të gjitha veprat e kryera prej tyre janë shënuar brenda dy muajve të fundit, në mars dhe në prill. Ndërkohë, Policia e Korçës, po heton edhe për të verifikuar nëse këta persona janë autorë të grabitjeve të ndodhura në vitet 2004, 2005 në Qafën e Zvdezës. Pritet që pas marrjes në pyetje të autorëve të saktësohen edhe dyshimet e policisë për ngjarjet e vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›