E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, banorët mes plehrave, projekti pa efekt

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane të Korçës ndodhet vetëm 1.5 kilometër larg qendrës së qytetit dhe fare pranë një lagjeje të vendosur në këtë zonë. Temperaturat e larta të verës së nxehtë janë kthyer në një shqetësim për banorët e kësaj lagjeje, të cilët ndihen fatkeqë që jetojnë pranë vendit ku grumbullohen plehrat e 70 mijë banorëve, ndërsa askush nuk mendon për mbajtjen nën kontroll të tyre.
 

Ajri i rëndë, insektet e shumta dhe një gjendje e rëndë shëndetësore e këtyre banorëve, po kërcënon për çdo ditë jetën e tyre. Janë më shumë se 150 persona që ndajnë jetën e tyre vetëm pak metra larg vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, duke jetuar ditë të tmerrshme. Por kjo është njëra anë e medaljes, ndërsa Bashkia e qytetit duket se ka lënë në mëshirë të fatit këtë zonë. Në muajin korrik në këtë vendgrumbullim kanë nisur punimet për përmirësimin e kushteve mjedisore dhe kushteve të punës në fushën ekzistuese të mbetjeve.
 

Këto punime datën 15 gusht e kanë patur të fundit për mbylljen e këtij projekti me një financim prej 119 mijë eurosh nga Banka gjermane KFW. Në fakt duket se nuk është bërë asgjë, pasi përveç spostimit disa metra të mbetjeve, fusha e grumbullimit të tyre ka mbetur e njëjta, me të njëjtat problematika. Banorët e zonës ankohen për këtë gjendje, që sipas tyre është e hershme, ndërsa ata janë harruar nga të gjithë dhe askush nuk kujtohet për ta dhe për këtë situatë të pazakontë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›