Nxënëset e ish institutit Nëna Mbretëreshë, festojnë me nostalgji 75 vjetorin
Në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit shkolla e parë e cila mori përsipër të arsimonte dhe të edukonte vajzat shqiptare, Nënë Mbretëreshë, festoj me nostalgji 75-vjetorin. Sterjo Spase këshillonte gjithmonë nxënëset e tij duke u thënë Nëse doni të bëheni mësues mos harroni kur t`u jepni dashuri jo vetëm nxënësve të mirë, por më tepër atyre që u mungon dashuria.
Kjo këshillë e profesorit të tyre u kujtua dhe sot pas 75 vjetëve nga nxënëset e ish institutit Nëna Mbretëreshë, në Tiranë. Në festën e mësuesit u përkujtua sot në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit shkolla e parë e cila mori përsipër të arsimonte dhe të edukonte vajzat shqiptare. Nxënëset e dikurshme të Institutit, që më pas u bënë mësuese, kujtojnë sot me nostalgji kohën kur mbushnin me spektatorë sallën e kinemasë Gloria. Në këtë kinema vajzat e veshura me petka te bardha vinin në skenën e saj vepra të ndryshme të autorëve shqiptarë dhe të huaj, por dhe koncerte të shumta muzikore. Këto shfaqje të përgatitura nga mësuesit e tyre nuk gëzonin vetëm spektatorin, por dhe fëmijët e strehës vorfënore të cilës i dhuroheshin të ardhurat e fituara. Me krenari një prej ish drejtueseve të këtij instituti Vangjeli Mele thotë se nga instituti Nëna Mbretëreshë kanë dalë juristet, historianet, shkrimtaret, mësueset e para femra. Madje mund të them se sot duket e pamundur të përgatiten mësuese si në atë institutit. Përkrahë lëndëve bazë si matematika, historia, letërsia, gjeografia, e gjuhët e huaja në këtë shkollë i jepej një rëndësi e veçantë dhe formimit kulturor të nxënësve duke u mësuar muzikë apo dhe pikturë. Njëra prej nxënëseve të institutit Liri Lubonja u shpreh sot se Kam nostalgji për momentet e kaluara në atë shkollë por ndjej dhe keqardhje për faktin që kjo shkollë nuk është më. Gjatë viteve të funksionimit të këtij Instituti kanë dalë 2755 mësuese dhe 853 edukatore kopshti. Instituti Nëna Mbretëreshë gjatë historisë u mbyll njëherë në vitin 1944, më pas u hap sërish në vitin 1945 por më pas mori emrin shkolla pedagogjike .Disa nga emrat e shquar në veprimtari të ndryshme që nxori ky institut janë dhe Margarita Tutulani, Ramize Gjebrea, Eleni Pashko, Safo Marko etj.