E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, hapen digat mbi Devoll për të shmangur përmbytjen nga shirat

Bordi i Kullimit në Korçë vendosi dje hapjen e digave mbi lumin Devoll për shkak të rritjes me ritme të shpejta të nivelit të ujërave të lumenjve nga shkrirja e dëborës dhe rënia e shiut gjatë ditës së djeshme. Kjo situatë e krijuar me rritjen e nivelit të ujërave në lumin Devoll ka rrezikuar përmbytje të fushës së  Korçës dhe për t'i paraprirë këtij rreziku është ndërhyrë me hapjen e digave dhe shkarkimin e ujërave të lumit Devoll. Bordi i Kullimit në Korçë ka ndërhyrë për hapjen e digës pranë fshatit Zëmblak, si dhe  të tjerave në vazhdim përgjatë lumit Devoll në afërsi të fshatit Sovjan. Drejtori i Bordit të Kullimit në Korçë, Gentian Pere, tha se pas reshjeve të fundit ka një rritje të kuotave të lumenjve, që mund të rrezikojnë daljen nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha dhe rritjes së shpejtë të nivelit të ujërave të Devollit. Pere sqaroi se pas reshjeve të para dhe shkrirjes së dëborës niveli i lumit Devoll është rritur me 60 cm, ndërkohë që nga reshjet e vazhdueshme mund të arrihen kuotat maksimale. Fryrja e lumit Devoll pas reshjeve të ditëve të fundit ka bërë që diga e Zëmblakut të vihet në gatishmëri për derdhjen e ujërave me qëllim për të shmangur përmbytjet dhe daljen e lumit nga shtrati, ashtu siç ndodhi dy muaj më parë. Kjo masë është marrë, pasi pritet të ketë një përkeqësim të situatës, për shkak se reshjet e dëborës në juglindje kanë qenë të shumta dhe shkrirja e tyre bashkë me reshjet e shiut të 24 orëve të fundit mund të arrijnë kalimin me një metër mbi kuotën e lumit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›