E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Beratit: Problemet teknike rrezikojnë procesin e kartave

Berat - Kreu i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi e quan një proces me afate ligjore të rrezikuara, procesin e aplikimit për kartat e identitetit. Sipas tij, aktualisht vetëm në qytetin e Beratit ka tre qendra për aplikim dhe 11 operatorë, por numri i qytetarëve që shkojnë të aplikojnë mbetet shumë i vogël. Kreu i bashkisë, Nasufi, shton se vetëm në qytetin e Beratit kanë aplikuar 6532 persona. Sipas tij, nëse bëhet krahasimi me numrin e zgjedhësve që është  49049 mijë qytetarë, duket e pamundur që deri në 15 prill kur është afati, këta persona të kenë mbaruar së kryeri procesin e aplikimit. Sipas kryebashkiakut Nasufi, misioni i këtij procesi nuk mund të përfundojë brenda afatit, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë në qendrat e rajonit numër 1, 2, 3 dhe 4 që të kryejnë procesin e aplikimit brenda afatit. Numri i qytetarëve është i vogël dhe nuk po bëhet asnjë masë që qytetarët të shkojnë të aplikojnë veç faktit të imponimit të pritjes së tyre në qendra. Ato që pengojnë aplikimin për të pasur ritme të shpejta shumë herë janë problemet teknike të dala në kompjuterat e qendrave ku ka sinjal të dobët të internetit, ndërsa disa herë ka pasur dhe mungesa të furnizimit me kuponë të filialit të postës në kohë, cilësoi Nasufi, i cili është shprehur pro miratimit të projektligjit për ndarjen e kartave falas. Sipas tij, ky do të ishte hap pozitiv për qytetarët, të cilët kanë probleme të thella sociale dhe nuk mund të përballojnë çmimin prej 12 mijë lekë të vjetra, për të blerë kuponin e aplikimit. Sipas Nasufit, është një kosto financiare e lartë që shumë familje me disa persona që duan të aplikojnë, nuk e përballojnë çmimin ndaj qëndrojnë indiferent ndaj procesit të kartave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›