E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, kapet me 5 kg hashash, përfundon në pranga i riu

Policia e Korçës ka çuar në pranga një të ri nga qyteti i Ersekës, i cili ka tentuar të transportojë nëpërmjet doganës  së Tre Urave një sasi prej 5 kg bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Armir Qazimi i arrestuar rreth orës 09.30 të paradites së djeshme në aksin Korçë-Ersekë është kapur nga forcat e policisë në një postbllok gjatë një kontrolli rutinë. I riu sipas burimeve të policisë lokale mendohet të ketë marrë ngarkesën në qytetin e Korçës për ta çuar atë nëpërmjet pikës së kalimit të Tre Urave në shtetin grek. Ai është kapur në vendin e quajtur Ura e Dukës teka policia kishte informacion për sasinë e drogës që pritej të ishte edhe më e madhe. Droga e paketuar ishte fshehur në një çantë sportive të cilën udhëtari i fugonit e kishte lënë në pjesën e bagazhit. Fillimisht ai nuk ka pranuar të kishte me vete çantë, ndërsa kanë qënë udhëtarët e tjerë të fugonit të cilët e kanë detyruar të thotë të vërtetën. Policia e Korçës bën të ditur se arrestimi i të riut nga Erseka me 5 kg hashash është vetëm fillimi i operacionit  të koduar Bishtpëllumbi, ndërsa priten dhe ndalime të tjera për të shkatërruar një rrjet të mirëorganizuar që funksionon në zonën e  Shqipërisë juglindore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›