E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat 200 lekëshe, një sportel në të gjithë Durrësin

Qindra qytetarë janë ankuar pranë vullnetarëve për mosrespektimin e këtij vendimi nga ana e punonjësve të postës. Ata ankohen se u kërkohet të pajisen me një formular nga Drejtoria e Policisë, në kundërshtim të plotë me vendimin në të cilin saktësohet se personat që nuk janë të pajisur me pasaportë ndërkombëtare mund të vetë-deklarojnë mungesën e pasaportës me anë të një formulari, duke mbajtur për atë deklarim përgjegjësi penale. Pranë sporteleve të postës formohen radhë të gjata qytetarësh, të cilët lodhen nga pritja e gjatë dhe dekurajohen të blejnë kuponin. Sikur të mos mjaftonte kjo, dje në të gjithë qytetin bregdetar vetëm një sportel, ai i postës qendrore, ishte i pajisur me kuponët 200 lekë të reja, duke shtuar kaosin në radhët pa fund të qytetarëve. Posta në zonën e Plazhit apo atë të Shkozetit nuk pajiste qytetarët me kuponë 200 lekë duke i detyruar ata të drejtoheshin pranë sportelit të vetëm të postës qendrore. I gjithë kaosi i krijuar, mos zbatimi i vendimit të qeverisë nga ana e punonjësve të zyrave postare, lënë të kuptohet se këto janë tentativat e fundit të kryeministrit Berisha për të bojkotuar qëllimisht proçesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, dhe si rrjedhojë të gjithë procesin zgjedhor. Ky kaos ka nxitur edhe veprimtarinë sensibilizuese të vullnetarëve të PS të Durrësit. Vullnetarët e Partisë Socialiste të qytetit të Durrësit kanë instaluar këto ditë një çadër pranë postës qendrore të qytetit bregdetar. Qëllimi i këtyre të rinjve është informimi i qytetarëve mbi vendimin e fundit të qeverisë për pajisjen e tyre me karta identiteti me anë të blerjes së kuponit prej 200 lekësh të reja. PS e Durrësit u ka bërë thirrje qytetarëve të mos dekurajohen nga këto tentativa, të vazhdojnë të aplikojnë për kartën e identitetit, për të shprehur vullnetin e tyre dhe për të bërë ndryshimin më datë 28 qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›