E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ej, mos i thuaj njeriu !, Arian Çani vjen si aktor në skenë

Gazetari i njohur, Arian Çani del për herë të parë në një One Man Show në skenën e Teatrit të Metropolit. Histori dhe situata plot humor të zi do tju shoqërojnë gjatë gjithë shfaqjes. Ej, mos i thuaj njeriu !, kështu quhet spektakli teatral që kësaj here vjen krejt ndryshe nga ajo që jeni mësuar të ndiqni çdo të premte në ekranin e televizionit. Gjithçka që Çani nuk na ka rrëfyer dot nga ekrani do të mund ta shijojmë nga afër në skenën e Teatrit të Metropolit, duke filluar nga 16 maji, ora 20.00. Thelbi i këtij show teatral është rrëfimi dhe çmitizimi i disa fenomeneve moderne të jetës sonë të përditshme. Një këndvështrim shumë interesant, provokues, origjinal dhe subjektiv që autori e ndan me publikun në sallë. Një komunikim i drejtpërdrejtë interaktiv që tenton të sjellë në vëmendje ngjarje, situata dhe rrethana të cilat i përjetojmë çdo ditë në forma të ngjashme. Fenomene të shndërruara në mite moderne që ne i ndeshim rëndom dhe gjithandej në jetën tonë si publiciteti, spoti i Pangos, modeli i ri i rrobave të banjës, të varfrit, klasa politike dhe zgjedhjet e 28 qershorit, televizioni si një makth, fatura e një shfaqje në teatër, dhimbja para ndarjes me publikun, etj...  Çani mban distancën e duhur higjenike, por duke mbajtur njëkohësisht dhe një qëndrim të hapur ndaj këtyre miteve moderne. Qëllimi: çmitizimi pa ua zbehur vlerën dhe rëndësinë e tyre. Me pak fjale, një rrëfim që mbështetet në detaje dhe histori të thjeshta, të cilat njerëzit shpesh i thonë me zë të ulët. Çani merr kurajon të na i tregojë me zë të lartë...  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›