Korçë, këshilli bashkiak miraton në unanimitet buxhetin e bashkisë
Pas tre mbledhjesh të njëpasnjëshme, Këshilli Bashkiak i Korçës ka votuar në unanimitet të plotë projektbuxhetin e vitit 2009. Ndërsa demokratët kanë qenë të parët që e kanë kundërshtuar me forcë këtë projektbuxhet me një vlerë totale prej rreth 654 milion lekë, nuk ka ndodhur kështu në mbledhjen e të premtes ku plot 25 këshilltarë prezentë në votim, nga 35 që janë gjithsej kanë votuar pro duke mbështetur projektin e serviruar nga kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi.
Kështu, pas disa debatesh të gjithë këshilltarët e majtë dhe të djathtë, natyrisht duke përfshirë dhe ata të LSI, që kanë përkrahur qëndrimin e demokratëve dy mbledhje të shkuara votuan për këtë buxhet duke bërë një kthesë prej 360 gradësh nga qëndrimi i tyre fillestar. Kryetari i bashkisë juglindore gjatë fjalës së tij ka theksuar se ky buxhet është shumë i rëndësishëm për Korçën dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj. Sipas tij, synohet që me këtë buxhet Korça të kthehet në një qendër të rëndësishme urbane dhe universitare gjithashtu ku ka se çfarë mund të të ofrojë. Madje investimet në infrastrukturë, e cila ka probleme të dukshme të paktën në rrugët kryesore të Korçës do të jenë të shumta ka theksuar ai, ndërkohë që për herë të parë i është dhënë më shumë prioritet projekteve sociale për të ndihmuar shtresa të ndryshme në nevojë. Përsa i përket këtij buxheti, sipas kryetarit të bashkisë ai ka pësuar një rritje prej 16.3 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe mund të cilësohet fare mirë si një nga buxhetet më të dobishme që ka pasur Korça edhe për faktin se është marrë në kohë mendimi i komunitetit. Buxheti i bashkisë juglindore kishte dështuar në disa mbledhje radhazi për shkak te kundërshtimit të këshilltarëve të djathtë, por edhe te një pjese të këshilltarëve te LSI-së të cilët janë bashkuar me këta të fundit duke rrezikuar shumicën e socialistëve në këtë këshill, megjithëse qeverisin bashkë me këta të fundit bashkinë më të madhe të qarkut juglindor të vendit. Oponenca për buxhetin i cili ishte cilësuar fillimisht si një projekt qe nuk i shërben Korçës ka ardhur pasi këshilltarët e PD dhe LSI kishin kërkuar që më parë të zhvillohej një analizë e shpenzimeve të kryera gjatë vitit 2008, kërkesa e cila është përmbushur nga të majtët dy ditë me parë në një mbledhje të posaçme enkas për këtë çështje.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1