“Kamëz, GNV në duart e militantëve të PD”
Partia Socialiste konteston ngritjen e Qendrave të Votimit në ambientet private, veçanërisht në zonën e Kamzës. Debati për çështjen e ngritjeve të Qendrave të Votimit në ambientet private është fokusuar kryesisht në zonën e Kamzës, ku socialistët shprehen të vendosur se janë 21 qendra, ambientet e të cilave zotërohen nga drejtues lokalë të PD-së apo simpatizantë të kësaj partie. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, bëri të ditur se KZAZ 56 e Kamzës ka depozituar një shkresë në KQZ, në OSBE dhe ODIHR që kërkon ndërhyrjen në zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi duhet që të ndërhyjnë pranë kreut të Bashkisë së Kamzës dhe të ndryshojnë vendndodhjen, për t’i vendosur në ambiente publike, si shkolla. Kjo është pranuar nga ana e KQZ-së, e cila kërkon që të verifikojë ambientet dhe të shihet mundësia. Në të gjithë vendin janë ngritur 507 Qendra Votimi.