E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, SHBA: Ruani klimën paqësore

 

ADI SHKEMBI

Apelit të Bashkimit Evropian për zgjedhje paqësore i bashkohen së fundmi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ditë pas reagimit të BE-së dhe vrasjes së kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Uashingtoni shpreh qëndrimin e tij përmes Ambasadës amerikane në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp të zëdhënësit të ambasadës së SHBA-së, Biks Aliu, nxitet qeveria dhe aktorët politikë në vend që të zhvillojnë zgjedhje me një klimë paqësore. “Nxisim qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët politikë, që të punojnë së bashku për të ruajtur një klimë paqësore, në të cilën të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të votojnë, ta bëjnë këtë duke qenë të qetë dhe në paqe më 28 qershor”, thuhet në deklaratën për shtyp të ambasadës amerikane. Në të njëjtën kohë zëdhënësi Aliu theksoi se Uashingtoni pret nga Tirana zyrtare zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. “Edhe një herë, shprehim shpresën dhe pritshmërinë tonë që zgjedhjet që po vijnë të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare”, vijon më tej deklarata e zëdhënësit të Ambasadës. Një ditë më parë ishte Bashkimi Evropian që bëri thirrje për zgjedhje paqësore në 28 qershor. Përmes një deklarate për shtyp, BE-ja shpreson që këto zgjedhje të vlerësohen në përfundim të tyre sipas standardeve. “Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë në Shqipëri dhe i gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit me BE-në. BE-ja është duke vëzhguar nga afër procesin zgjedhor. Shpresojmë dhe është në interesin e Shqipërisë që këto zgjedhje të jenë paqësore dhe të vlerësohen në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën për shtyp të publikuar dje në mesditë nga Bashkimi Evropian. Zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve ka qenë kryefjalë edhe e qëndrimit të SHBA-së. “Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të jenë një piketë shumë e rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes së Shqipërisë në NATO”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›