E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, në 12:00, ndalen makinat!

 
 
(Sot në 12:00,kryeqytetasit do të ndalen dhe do t'u bien borive të makinave. Një javë më parë, pikërisht në orën 12:00 u dëgjua në Tiranë shpërthimi i parë i tragjedisë së Gërdecit)
 
Aksioni Qytetar për Solidaritet dhe Përgjegjshmëri është një grupim i pavarur dhe jopolitik i organizatave të shoqërisë civile dhe intelektualëve në Shqipëri. Ky Aksion u krijua pas ngjarjes së rëndë në Fshatin Gërdec, të datës 15 Mars 2008, për t'u bërë thirrje qytetarëve dhe opinionit publik të këtij vendi për Solidaritet me qindra-mijëra viktimat e fshatit Gërdec e banorëve të tjerë të komunës së Vorës, si dhe për të kërkuar Përgjegjshmëri prej atyre që janë shkaktarët e vërtetë të tragjedisë.
Manifestimi ynë i parë publik është sot, ditën e shtunë, 22 mars, një javë mbas ngjarjes në Fabrikën e Municioneve të Gërdecit. Gjesti ynë i parë publik është në ora 12:00 të kësaj dite, pikërisht, në orën kur një javë më parë filloi seria e shpërthimeve të tragjedisë, ndaj ne ftojmë banorët e kryeqytetit, të ndalen e t'u bien borive të makinave të tyre në shenjë Solidariteti - me ata që humbën jetën e tyre, që u gjymtuan dhe mbetën pa shtëpi. Kjo në shënjë të Mos harresës së ngjarjes më të rëndë, katastrofës më të madhe shkaktuar nga dora e njeriut në këtë vend, qysh prej Luftës së Dytë Botërore.
Tubimi ynë nuk është politik, por ai është vetëm qytetar. Ne jemi bashkuar si njerëz të angazhuar përditë, për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, grave, të moshuarve, për mbrojtjen e mjedisit dhe të dinjitetit njerëzor. Kërkesat tona janë: në radhë të parë, t'u gjendemi pranë qytetarëve fatkeqë të Gërdecit e më gjerë, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe të gjithë organizatave humanitare për përkrahjen e tyre. Ndihmën ndaj viktimave shteti nuk duhet ta shohë si dhurim për mëshirë, por si dëmshpërblim të dëmit të shkaktuar ndaj jetës dhe pronës së këtyre njerëzve.
Kërkesa e dytë, ka të bëjnë me Përgjegjshmërinë. Cilët janë fajtorët e vërtetë të asaj që ndodhi? Çfarë garancie kemi ne, që fatkeqësi të tilla nuk do të ndodhin përsëri në Shqipëri? Pyetjet tona i drejtohen Qeverisë, Kryeministrit dhe cilitdo zyrtari të këtij shteti, që të mbajë përgjegjësi personale, morale dhe ligjore që me veprimet apo mos-veprimet e tij është bërë shkaktar për këtë tragjedi. Ka ardhur koha që përgjegjësia të mos fshihet mbrapa institucioneve, por të bjerë mbi çdo individ që e shikon pushtetin, zyrën dhe postin publik si mundësi për t'u pasuruar, pavarësisht nga kostoja. Prandaj, për këta politikanë, për Qeverinë tonë, për Kryeministrin e Shqipërisë, ne kemi këto pyetje:
Z.Kryeministër, a ndjeni ju përgjegjësi për tragjedinë në fshatin Gërdec?
Cili institucion përgjigjet për sigurinë e qytetarëve, nëse nuk përgjigjeni ju?
Z.Kryeministër, vërtetë është e mundur që ju nuk kishit dijeni për rrezikun me përmasa të tilla tragjike që u kanosej qytetarëve nga Fabrika e Municioneve në Gërdec?
Nëse ju nuk kishit dijeni për këtë rrezik, cili është ai institucion që duhet të ketë dijeni? Sa të sigurtë mund të ndjehen qytetarët e këtij vendi nga vartra të tjera rreziku?
Tragjedia e Gërdecit është një rast flagrant i mos-funksionimit të shtetit. A është ky modeli i shtetit me të cilin ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe në Bashkimin Europian?
Ne kemi një numër të madh pyetjesh të tjera, për ju dhe për Qeverinë që ju drejtoni, por sot po ju dorëzojmë publikisht ato më kryesoret, pyetje që kanë qytetarët shqiptarë, shoqëria civile dhe i gjithë opinioni kombëtar e ndërkombëtar për ju, me dëshirën që të marrim një përgjigje po publike.
Ne do të jemi këtu me premtimin se edhe kur shtëpitë të rindërtohen, njerëzit të dëmshpërblehen dhe emergjenca të mbarojë kur gjithkush të jetë kthyer në jetën e përditshme, do të vazhdojmë të vigjilojmë, derisa të dalin fytyrat e fajtorëve të vertetë.
Aksioni ynë nuk është një mbledhje kalimtare pasi roli i shoqërisë civile është një rrugë e gjatë në kërkim të përgjegjshmërisë. Aksioni ynë do të përsëritet në këtë vend e në vende të tjera, derisa të marrim përgjigje për të gjitha pyetjet dhe historia e Gërdecit të bëhet një shembull i kërkesës qytetare për llogaridhënie, përgjegjshmëri dhe transparencë.
AQSP / Aksioni Qytetar për Solidaritet dhe Përgjegjshmëri (Civic Action for Solidarity and Responsibility)
e ka quajtur protestën e sotme, Manifestim Solidariteti dhe Përgjegjshmërie me Viktimat e Gërdecit. Kjo është protesta e tretë civile për tragjedinë e Gërdecit, pas protestës së të enjtes në mbrëmje të organizatave rinore dhe Marishimit të Heshtur Qytetar zhvilluar dje në mbrëmje. AQSP, përbëhet nga 22 organizata, institucione dhe publicistë të shoqërisë civile, si më poshtë:
Aleanca Gjinore për Zhvillim
Avokati i Popullit
Ardian Klosi, publicist
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës
Every Child
Fondacioni Shqiptar i Shoqërisë Civile
Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare
Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
Instituti Agenda
Instituti i Sociologjisë Shqiptare
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Mjaft!
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri
Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut
Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare
Qendra për Popullsinë dhe Zhvillimin
Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve
Qendra "Vatra", Vlorë
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve
Shoqata "Në dobi të gruas shqiptare"
Shoqata e Grave "Refleksione"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›