E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria fsheh papunësinë në fshat

Papunësia në fshat shkaktoi dje reagimin e Partisë Socialiste përmes nënsekretarit për programin. "Qeveria fsheh papunësinë e vërtetë në fshat. Papunësia është problemi madhor i shqiptarëve, kjo edhe kur pothuaj gjysma e atyre të aftë për punë kanë emigruar", konstatoi Ervin Bushati. Sipas tij, qeveria "Berisha" nuk ka bërë asgjë për të ulur papunësinë në fshat. PS pretendon se në fshat, papunësia është edhe më kërcënuese, sepse shumë pak njerëz e kanë mundësinë të punësohen në zonat ku jetojnë, pavarësisht shifrave të pretenduara nga qeveria. Ndërkohë, ndikimi i papunësisë në jetën e familjeve në fshat shkakton një gjendje ekonomike të rënduar dhe probleme sociale nga më dramatiket. "Papunësia është problemi real që rrënon jetën në fshat, sepse në këto zona, mundësitë për të siguruar një jetesë dinjitoze nëpërmjet punës së ndershme janë shumë të rralla", u shpreh Bushati. Në ndërgjegjen e të gjithëve, vijoi ai, mungesa e mundësisë për të siguruar një jetesë dinjitoze me aftësitë personale, është sa e vështirë ekonomikisht aq dhe e rëndë psikologjikisht. "Në zonat rurale, pamundësia për të pasur një punë i shtyn banorët drejt emigracionit, ndërkohë që shteti nuk ka asnjë politikë të qartë për të hapur fronte të reja pune", theksoi Bushati.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›