E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, mbi 900 persona me probleme mendore

 

Sipas neuropsikiatrit Kane, rastet kanë ardhur në shtim dhe shumica janë femra në moshë të re

Korçë- Numri i personave me probleme mendore që trajtohen në Korçë po arrin shifra alarmante. Në këtë përfundim kanë arritur specialistët, duke deklaruar se janë mbi 900 persona që kurohen rregullisht, madje një pjesë e tyre trajtohet ekonomikisht edhe nga shteti. Shifrat sipas specialistëve, tregojnë për rritjen në mënyrë progresive të të sëmurëve mendorë. Ata pranojnë se ka një sërë faktorësh që ndikojnë në shtimin e pacientëve, duke renditur; që nga mungesa e jodit në këtë rajon me klimë malore, por dhe problemet e theksuara sociale, që vijnë nga papunësia dhe gjendja e vështirë ekonomike. Mjeku i njohur neuropsikiatër në Korçë, Gaqo Kane, në një studim të fundit bërë për këtë problem, shpreh hapur shqetësimin e tij për shtimin e pacientëve me probleme mendore. Madje duke parë këtë situatë vetëm dy muaj më parë, është hapur dhe Qendra e Trajtimit të të sëmurëve mendorë, për tu rikthyer shumë shpejt në një spital psikiatrik.

***

Sipas Kanes, mësohet se në bashkëpunim me bashkinë e Korçës, është arritur të evidentohen rastet e personave me këtë lloj problematike. Në studim, sipas tij, është marrë pikënisje viti 2006 dhe në konsideratë janë marrë të sëmurët mendorë neurologjikë (me prapambetje mendore të gradave të ndryshme dhe turbullime mendore). Kështu ai kontigjent që nuk kanë qenë në marrëdhënie pune, ka qenë 540, ndërsa për sëmundjet mendore si skizofreni, çrregullimet afektive uni apo bipolare janë evidentuar plot 85 raste. "Në total janë regjistruar 625 raste të të sëmurëve mendorë, jo të punësuar, të grupit të parë apo të dytë, por që marrin ndihmë ekonomike nga shteti"- thuhet në studim. Gjatë vitit 2007 janë regjistruar edhe 61 raste të reja, nga të cilat 21 me sëmundje psikike dhe 40 raste të tjera me prapambetje mendore apo turbullime mendore. "Numri i të sëmurëve mendorë për bashkinë e juglindjes shkon në total në 786 raste, duke përfshirë kështu edhe të sëmurët e vitit 2006",- theksohet më tej. Por duke pasur parasysh të dhënat e nxjerra nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore në Korçë rezulton se numri është edhe më i madh se kaq, në plot 908 persona, duke e bërë situatën alarmante.

***

Moshat e reja dhe me shumicë femrat. Kjo është tendenca e kësaj sëmundjeje në zonën e Korçës. "Stresi është një nga sëmundjet më të përhapura gjatë viteve të fundit që çon në çrregullime mendore",- sqaron neuropsikiatri Kane. Sipas tij, kjo lloj sëmundje prek në përgjithësi të gjitha moshat, por veçanërisht më të rrezikuara mbeten moshat e reja. Megjithatë, për rrethin e Korçës rezulton për fattë keq se numri i femrave të stresuara është më i madh se ai i meshkujve. Aktualisht ky raport është në shkallën 2 me 1. Shkak për këtë sëmundje mbeten fatkeqësitë familjare, divorcet, konflikti mes prindërve dhe fëmijëve, por edhe fatkeqësitë individuale, të cilat shpesh herë mbeten të papërballueshme nga moshat e reja. Gjithsesi mjekët specialistë sjellin dhe një sërë faktorësh të tjerë që mund të çojnë tek kjo sëmundje. Mjekët këshillojnë mbajtjen afër të këtyre personave, duke kujtuar se braktisja dhe largimi nga familja është vrasëse dhe degraduese për këtë kontigjent njerëzish. Në të kundërt, ata pranojnë se pasojat janë të pakthyeshme, deri në vetëflijime, raste që në fakt nuk kanë munguar në këtë rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›