E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza 13-vjeçare plagos me pistoletë shoqen e klasës

 

Emine Hoxha ka gjetur një pistoletë në shtëpi dhe e ka marrë me vete në shkollë për t'ua treguar shokëve. Ajo ka shkrepur armën pa dashje duke qëlluar në këmbë shoqen e klasës. Arrestohet babai i vajzës

FIER- Tmerr dhe panik në një shkollë nëntëvjeçare në rrethin e Fierit teksa një nxënëse ka plagosur me pistoletë shoqen e saj të klasës. Ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Zhupan ka tronditur të gjithë opinionin lokal por ka hapur edhe një herë debatin për sigurinë e shkollave shqiptare. Vajza e plagosur është vetëm 13- vjeç dhe, si shoqja e saj që shkrepi armën, është një nga nxënëset më të dalluara të shkollës. Ende ka mbetur mister përse 13-vjeçarja Emine Hoxha, kishte shkuar në shkollë me një pistoletë tip TT në çantë.

Plagosja

Zhurma e madhe që dëgjohet në çdo pushim mes orëve në shkollën nëntëvjeçare të fshatit Zhupan në Fier është ndërprerë dje nga një krismë e thatë pistolete dhe britmat e një vajze që nuk mund të lëvizte këmbën e gjakosur. Në pushimin ndërmjet orës së tretë dhe asaj të katërt, Emine Hoxha ka nxjerrë librat nga çanta por pas tyre edhe një send metalik që e kishte marrë me vete nga shtëpia. Ajo ishte një pistoletë tip TT, me fishek në gojë dhe siguresën e ulur. Shokët dhe shoqet e klasës e kanë kujtuar fillimisht armën si një "pistoletë çakmak", nga ato që shiten rëndom në treg dhe kanë dashur të luajnë me të. Vajza 13- vjeçare e ka shtrënguar armën fort por gishtat e saj kanë tërhequr këmbëzën duke bërë që pistoleta të shkrepet. Plumbi i dalë nga tyta e armës ka qëlluar në kofshë 13-vjeçaren tjetër, Albana Braka, e cila është shtrirë përdhe nga dhimbja. Nxënësit e tjerë janë frikësuar dhe larguar nga vajza me pistoletë në dorë. Krisma e armës e britmat e nxënësve janë dëgjuar në të gjithë shkollën dhe pjesa më e madhe e mësuesve kanë rendur në klasën ku ndodhi ngjarja. Ata kanë gjetur 13-vjeçaren e gjakosur në mes të klasës dhe menjëherë e kanë dërguar në spital ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjekët që kanë kryer operacion dhe kanë hequr plumbin nga këmba e vajzës pohuan se gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet

Ngjarja e rëndë e ndodhur në shkollë ka bërë që pak minuta më pas aty të vinte policia, e cila ka marrë menjëherë në pyetje drejtorin e shkollës. Më pas policia ka kontaktuar edhe me vajzën 13-vjeçare që ka shkrepur armën. Ajo është marrë në pyetje në shtëpinë e saj në praninë e psikologut dhe prindërve të saj, ku ka treguar se si ka qëlluar pa dashje shoqen e saj të klasës. Burimet zyrtare të policisë kanë pohuar se në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar baba i i vajzës, Hamza Hoxha. Ai akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Vetë vajza ka pohuar përpara policisë se pistoletën e kishte gjetur në shtëpi dhe e kishte marrë me vete në shkollë në formë loje. Ajo donte t'ia tregonte shokëve e shoqeve të klasës e jo të qëllonte. Më pas policia ka marrë në pyetje edhe të gjithë nxënësit që ndodheshin në klasë në momentin e ngjarjes si dhe mësuesen kujdestare të klasës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ndaj mësueses Drinalada Thanasi, ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre.

DËSHMIA

Një nga nxënësit që është djegur në dorë nga baruti i armës tregon "lojën" me pistoletën që i rrezikoi jetën

"Pistoleta na u duk si çakmak"

Një tjetër nxënës i klasës së shtatë ka mbetur i plagosur lehtë nga ngjarja e rëndë që i ka rrezikuar jetën 13-vjeçares. Në momentin që është shkrepur arma, nxënësi me inicialet A. S ka qenë shumë afër ngjarjes dhe nga flaka e pistoletës ai është djegur në dorë por pa probleme për shëndetin. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në shkollë, ai është rikthyer sërish në klasën e tij në katin e dytë të godinës. . Fëmija 13- vjeçar ka treguar se në kohën kur ndodhi ngjarja ai ishte shumë pranë dhe ka parë shoqen e klasës që ka nxjerrë armën. "Ne kujtuam se ajo ishte një çakmak por kur ajo bëri zhurmën e madhe dhe qëlloi Albanën në këmbë, ne ikëm me vrap duke kërkuar ndihmë. As Emineja nuk e dinte që ishte armë. Ajo po luante me atë dhe nuk mendonim se ishte pistoletë e vërtetë",- ka pohuar 13-vjeçari. Të dyja nxënëset janë të dalluara në mësime, madje Emineja ka edhe fotografinë në tabelën e nderit të shkollës. Vetë drejtori i shkollës nëntëvjeçare ka pohuar se ajo ishte një nga nxënëset më të mira dhe nuk mund ta ketë qëlluar me dashje shoqen e shkollës. "Ajo është nxënësja më e mirë e shkollës por unë nuk e di se ku mund ta ketë gjetur armën",- thotë drejtori i shkollës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›