E Diel, 1 Nëntor 2026

Korce mbipopullim te shkollave te mesme

Numri i nxënësve që mbarojnë arsimin nëntë vjecar në shkollat e Korcës është tre herë më i madh se kapaciteti i gjimnazeve të përgjithshëm të qytetit dhe këtij numri i shtohen edhe nxënësit nga fshatrat që dëshirojnë të vazhdojnë arsimimin në qytet. Kjo ka bërë që pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor në dyert e gjimnazeve të dynden nxënës e prindër për tu regjistruar por që në fillim të këtij procesi u deklarua se tre gjimnazet e përgjithshëm të qytetit nuk kanë vende dhe nxënësit janë drejtuar në gjimnazet profesionale.

"Dua të regjistroj cupën këtu në shkollë, i ka notat e mira,dhe tani po pres drejtoreshën të merrem vesh", shprehet nëna e një nxënëseje. "Unë pëlqej shkencat natyrore dhe kam zgjedhur këtë shkollë të ndjek të mesmen. Thanë prisni drejtoreshën të merrni ndonjë përgjigje në qoftë se regjistroheni, por që vendet janë mbushur", thotë një nxënëse.

Dyndja për tu rregjistruar në gjimnazet "Raqi Qirinxhi" dhe "Themistokli Gërmenji" shfrytëzohet për të përzgjedhur nxënës me  mesatare mbi tetë. "Është e vërtetë që dëshira për të ardhur në gjimnaz është shumë e madhe dhe për faktin se tre gjimnazet e Korcës janë vlerësuar si gjimnazet më të mira në Shqipëri. Por ne nuk mund ti marrim të gjithë nxënësit se dhe kapaciteti i shkollës është vetëm gjashtë klasa për vitet e para. Kriteri bazë për tu regjistruar në gjimnaz është së pari gjuha e parë e huaj, pastaj mesatarja", tha Eli Ombashi, drejtore e shkollës "Raqi Qirinxhi".

Mungesa e kapaciteteve në shkollat e mesme të përgjithshme  ka vite që është prezente në Korcë. Projketi për ndërtimin e një gjimnazi të ri ka mbetur vetëm në letër dhe në premtime elektorale.Në këtë situatë një pjesë e mirë e nxënësve iu drejtohen shkollave profesionale, por ka edhe shumë të tjerë të gjendur përballë refuzimit të regjistrimit për shkak të mesatares së ulët që nuk e vazhdojnë më shkollën.

Jorgjeta Gjançi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›